Një grup që ushtronte aktivitetin e trafikut të emigrantëve kundrejt përfitimit është goditur nga Policia e Dibrës, ndërsa rol të rëndësishëm kishin edhe emigrantët sirianë. Operacioni i koduar “SMUGGLING”, ka çuar në pranga katër persona, si dhe janë shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Po sipas Policisë Dibër, po procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.
Mësohet se pas operacionit janë prangosur shtetasit Ahmet Meslima, 23 vjeç, me origjinë nga Siria, i cili kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale; Durim Domi, 39 vjeç, banues në Tiranë, kishte rolin e ndihmësit të grupit për transfertën e pagesave; Artemisa Ahmataj, 20 vjeçe; Jesmira Korhysa, 26 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit: M. A., me origjinë nga Siria, i cili siguronte mjetet e transportit për kalimin e kufirit dhe A. M., me origjinë nga Siria, i cili ndihmonte dhe shoqëronte emigrantët, kryesisht ata nga Siria, për kalimin e kufirit me Kosovën, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Gjatë operacionit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në një hotel, gati për të transportuar 5 shtetas sirianë. Ky rrjet trafiku është mbajtur në mbikëqyrje prej vitit të kaluar.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, organizonin kalimin e shtetasve me origjinë siriane, nga Turqia nëpërmjet Greqisë, futjen në territorin shqiptar, strehimin e tyre në hotele të ndryshme në Tiranë, gjetjen e personave për të kryer transportimin e tyre, duke ndjekur rrugën e Arbrit në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari.
Shuma e parave që çdo emigrant paguante varionte nga 4000 deri në 6000 euro, të cilat paguheshin nëpërmjet kompanive të transfertave. Këta shtetas janë autorët e dy rasteve të tjera të tentativës për të transportuar emigrantë të paligjshëm, gjatë muajve janar dhe shkurt.
Në momentin që janë konstatuar në Dibër, këta shtetas, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë kanë braktisur mjetet dhe janë larguar. Në muajin dhjetor 2021 janë arrestuar në flagrancë shtetasit S. K. dhe N. K., të cilët janë kapur duke transportuar shtetas sirianë. Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të këtij operacioni janë kapur 3 automjete, një “Laptop”, 12 telefona celularë, 1000 euro dhe 5 pasaporta.