Ekonomia botërore para sfidës së re: Lufta ruso-ukrainase do të ngushtojë më tej zinxhirët globalë të furnizimit

Pasiguria është e vetmja gjë e sigurt. Kjo thënie, e cila daton që nga koha e Perandorisë Romake, përshkruan më së miri situatën me të cilën po përballet bota aktualisht. Ekonomia botërore po rimëkëmbej, por pavarësisht pandemisë, çrregullimet e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe presionet mbi çmimet, tashmë përballet edhe me sfidën e re – luftën ruso-ukrainase.

– Advertisements –

“Në këtë moment është e vështirë që të flitet për rezultatin e kësaj krize për ekonominë globale. Lufta sipas përkufizimit do të thotë disfatë për njerëzimin, veçanërisht në shekullin e XXI-të, kur dështimi i përpjekjeve diplomatike dhe leksionet e pamësuara të historisë paguhen me viktima njerëzore dhe tragjedi personale. Rezultati do të varet nga fakti se si do të zhvillohet invazioni dhe sa do të zgjasë, çfarë sanksionesh perëndimore do të caktohen dhe nëse Rusia do reagojë me reciprocitet, si për shembull rasti i ndalimit të furnizimeve kryesore me gaz në Evropë, sulmet kibernetike, etj. Megjithatë, bota dhe veçanërisht Evropa shpresojnë sinqerisht për ndalim të shpejtë të luftës dhe gjakderdhjes” shkruan Fatmir Besimi, Ministri i Financave 

Siç e kemi parë edhe gjatë pandemisë, ndërprerjet më të vogla në një rajon mund të gjenerojnë ndërprerje më të mëdha globale. Mungesa ose rritja e çmimeve të disa prej mallrave të eksportuara nga këto vende mund të ketë efekte, veçanërisht pasi ekonomia është ende e brishtë nga goditja e pandemisë. Gjegjësisht, zinxhirët e furnizimit janë ende të ngushtuara, oferta po ushtron presione mbi çmimet, kurse Rezerva Federale e SHBA-së dhe Banka Qendrore Evropiane paralajmëruan paraprakisht për ngushtim të politikës monetare për shkak të inflacionit të lartë. Përveç kësaj, pasiguria politike dhe jostabiliteti rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik.

 Synimi i këtij teksti është të japë një analizë fillestare rreth implikimeve makroekonomike në mbarë botën, në ekonominë evropiane dhe në vendin tonë. Natyrisht, në këtë periudhë pasigurie, skenarët e mundshëm bazohen në teori spekulative sipas asaj që prezatohet nga qendrat analitike botërore.

 Bursat në të kuqe, çmimet e naftës dhe arit në kulminacion, rimëkëmbje e shpejtë e  kriptomonedhave

Pamë reagimin e investitorëve në tregjet botërore ditën e enjte. Çmimi i naftës bruto Brent për herë të parë që nga viti 2014 tejkaloi 100 dollarë për fuçi. Gazi tejkaloi 1400 dollarë për 1000 metër kub. Gruri u shtrenjtua për 5.6% në Bursën tregtare të Çikagos, ndërsa bursat, kriptovalutat, aksionet e kompanive me lidhje afariste me të dy vendet, shënuan rënie drastike. Rubla ruse u zhvlerësua në atë masë saqë u mbyllën menjëherë bursat e Moskës dhe Shën Petersburgut. Indekset e bursave në mbarë botën ranë për rreth 3% – bursa gjermane (DAX) ra prej 2.8%, bursa koreane (KOSPI) shënoi rënie prej 2.6%, bursa britanike (FTSE-100) ra prej 2.3%, bursa japoneze (Nikkei 225) shënoi rënie prej 1.8%, bursa e Shangait (SSE) rënie prej 1.7%, etj.

Humbje më të mëdha shënuan vlerat e aksioneve të kompanive nga Rusia dhe Ukraina dhe atyre që janë të lidhura ngushtë me këto vende, çmimi i të cilave ra për 10% deri në 36%. Aksionet e dy kompanive më të mëdha ruse “Sperbank” dhe “Gazprom”, të listuara në bursën e Londrës, ranë pothuajse për 77% dhe 42%, por më pas kompensuan një pjesë të humbjes. Tregu i kriptomonedhave, pothuajse u fundos, me rënie prej rreth 8% në vlerë. Bitcoin humbi rreth 8% të vlerës së tij, ndërsa Yttrium pati rënie edhe më drastike.

Ndërkohë, çmimet e arit, palladiumit dhe aluminit janë rritur pasi investitorët orientuan mjetet e tyre drejt “vendeve të sigurta” të kapitalit në kohë krize.

 Pas së “enjtes së zezë”, çmimet e disa prej mallrave filluan të korrigjohen të premten. Kështu, çmimi i gazit pësoi rënie në nivel prej 1.230 dollarë, ndërkohë që tregjet e kapitalit dhe kriptomonedhat u rimëkëmbën. Indekset evropiane të bursave u rritën pasi ranë në nivelin më të ulët nëntëmujor të enjten, pasi investitorët u përpoqën që të përfitonin nga çmimet më të ulëta të aksioneve pas shitjes së kësaj jave, shkaktuar nga frika e ndikimit të konfliktit ruso-ukrainas në punën e kompanive. Tregu i kriptomonedhave, gjithashtu u rimëkëmb të premten, me rritje të Bitcoin më shumë se 10% në 38.500 dollarë, i cili brenda natës i rikuperoi të gjitha humbjet nga një ditë më parë. Yttriumi gjithashtu u rrit prej 10.5% në rreth 2600 dollarë, pasi humbi gati 15% një ditë më parë.

 Cila është arsyeja e këtij reagimi të investitorëve në tregjet botërore dhe cilat janë rreziqet që ata shohin? Dhe pse ekonomia ruse, e cila është dyfish më e vogël se ajo italiane (e cila ka gjysmën e popullsisë ruse), ka një ndikim kaq të fortë.

 “Pompa e karburantit” dhe “hambari i Evropës” në zinxhirët globalë të furnizimit

 Rusia është superfuqi energjetike ose siç e quajnë disa ekonomistë amerikanë, “stacioni i madh i karburantit”. Me prodhimtari prej 9.7 milionë fuçi nafte në ditë vitin e kaluar, ajo renditet menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose po aq sa Kanadaja dhe Iraku së bashku. Gjithashtu, Evropa merr pothuajse 40% të gazit natyror dhe 25% të naftës së saj nga Rusia. Një e treta e eksportit botëror sa i përket grurit vjen nga Rusia dhe Ukraina, si dhe një e pesta e eksportit të misrit dhe 80% e eksportit të vajit ushqimor të lulediellit. Disa vende janë pothuajse të varura nga importi i këtyre ekonomive.

 Për shembull, Turqia, e cila tashmë është në mes të një krize ekonomike dhe lufton me inflacionin që arrin afërsisht 50%. Rreth 70% e importit të përgjithshëm të grurit të Turqisë janë nga Rusia dhe Ukraina, rreth 45% e importit të përgjithshëm të gazit të Turqisë janë nga Rusia, ndërsa importi i naftës bruto nga Rusia variojnë nga 10% deri në një të tretën e importit të përgjithshëm të Turqisë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, përveç kontekstit gjeostrategjik, shohim edhe atë ekonomik të involvimit të disa vendeve në konfliktin ruso-ukrainas.

 Gjithashtu, ekziston një hendek i madh midis Evropës dhe SHBA-së lidhur me ekspozimin e ekonomive të tyre ndaj krizës në Ukrainë. Efektet e sanksioneve ekonomike do të jenë shumë më të larta për ekonominë evropiane sesa për atë amerikane. Ekonomitë më të ekspozuara do të ishin Bullgaria, Estonia, Finlanda, Greqia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovakia. Pothuajse në të gjitha këto vende, varësia nga Rusia reflektohet kryesisht përmes importit të energjensave, ndërsa në masë më të vogël përmes Rusisë si treg eksporti. Në vijim, do të nënvizoj pasojat kryesore ekonomike për ekonominë evropiane që mund të lindin nga lufta ruso-ukrainase.

 Zvogëlimi i tregtisë dhe investimeve të huaja direkte. Sa i përket sanksioneve reciproke në vitin 2014, efekti negativ relativ më i madh në BE u ndje në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), si dhe në vendet nordike dhe Gjermani. Por pas këtyre sanksioneve, pati një ridestinim të qartë tregtar të flukseve të investimeve midis Rusisë dhe BE-së. Pothuajse çdo vend anëtar i BE-së ka zvogëluar vëllimin e shkëmbimit tregtar të jashtëm me Rusinë si pjesëmarrje në tregtinë e jashtme të përgjithshme. Nga ana tjetër, ka zvogëlim të konsiderueshëm të pjesëmarrjes së investimeve të huaja direkte ruse. Sipas kësaj, ekspozimi ndaj shkëmbimit tregtar të jashtëm dhe investimeve të huaja direkte me Rusinë, këtë herë do të ishte më i ulët, por do të reflektohej edhe më tej efekti negativ në disa veprimtari.

 Rritja e çmimit të gazit natyror. Eksporti i Rusisë në BE kryesisht përbëhet nga karburantet minerale, që në fakt është lloji kryesor i ekspozimit të ekonomive evropiane ndaj Rusisë. Në vitin 2020, shkalla e ekspozimit diferencohej nga vendi në vend, ndërsa pjesëmarrja e importit të karburanteve minerale nga Rusia arriti deri në 15% të PBB-së në disa vende evropiane. Zonat më të ekspozuara për sa i përket importit të karburanteve minerale janë Balltiku, pjesa tjetër e Evropës Lindore dhe Ballkani. Por, ekspozimi varion në varësi të llojit të lëndës së parë, kështu që gazi natyror dhe ai i lëngshëm natyror konsiderohen si më të rëndësishmit. Sipas të dhënave nga Gazprom-i, në vitin 2020, shitjet e gazit vetëm në Gjermani dhe Austri përbënin 60% të shitjeve të përgjithshme të Gazprom-it në Evropë. Në fund të vitit 2020, Gazprom-i përbënte 12% të prodhimtarisë globale të gazit dhe posedonte 17% të rezervave globale të gazit, gjë që i jep fuqi të theksuar në tregun global të gazit. Sipas kësaj, kufizimet e tilla të shitjes së gazit nga Gazprom-i, do të shkaktojnë menjëherë rritje të madhe të çmimeve globale të gazit.

Çmimet evropiane të energjensave janë rritur ndjeshëm që kur forcat ruse sulmuan objektivat anembanë Ukrainës. Kështu, çmimet e fjuçersave (futures) sa i përket energjensave në Gjermani dhe Holandë u rritën nga 30% – 40%. Rritje të ndjeshme është shënuar edhe në çmimet e qymyrit me mbi 10%. SHBA-ja dhe BE-ja paralajmëruan sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë kështu kufizimin e qasjes së Rusisë në monedhat e huaja, gjë që pritet ta zvogëlojë disponueshmërinë në tregjet botërore për lëndët e para si nafta, gazi, metalet bazë dhe ushqimi.

 Rritja e normave të inflacionit. Vetëm informacionet lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve nxit rritje të çmimeve të energjensave dhe produkteve ushqimore, gjë që kontribuon në rritjen e mëtejshme të tyre si dhe inflacionit tashmë të lartë, veçanërisht në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL). Amvisëritë në EQL  shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre të disponueshme sa i përket energjisë dhe ushqimit, kështu që shumë prej tyre janë tashmë në situatë të vështirë, që sjell nevojën për të vendosur kontroll mbi çmimet në disa vende. Zhvillimet e mëtejshme dhe vendosja e sanksioneve më të fuqishme vetëm do ta përkeqësonin këtë situatë.

 Intensiteti i çrregullimit të tregjeve do të varet gjithashtu nga sanksionet që vendosin SHBA –ja dhe BE-ja dhe nëse ato do t’i përfshijnë sektorët e naftës dhe gazit. Për shembull, nëse Rusia përjashtohet nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, pagesat lidhur me furnizimin me gaz dhe naftë nga Rusia do të bëhen të pamundura. Kjo masë do të nxiste klauzolat e forcës madhore (force majeure) ndërmjet furnizuesve dhe do të ndërpresë furnizimin me pasoja dramatike për konsumatorët evropianë për sa i përket disponueshmërisë së karburantit dhe çmimeve të tyre. Kjo do të rrisë presionin mbi stoqet dhe rezervat e mallrave që janë në dispozicion të Evropës, të cilat nuk ishin në kapacitetin e plotë përpara intensifikimit të armiqësive dhe do të jetë e pamundur ripërtëritja e tyre gjatë verës.

 Përmes tubacioneve ukrainase rrjedh rreth një e treta e gazit rus për në Evropë dhe eskalimi i konfliktit pritet t’i çrregullojë këto flukse. Për shkak të rritjes së tillë të rreziqeve, analistët parashohin që çmimet më të larta të karburanteve të vijojnë të mbesin të tilla deri në fund të vitit, në vend që të stabilizohen siç pritej më parë në gjysmën e dytë të vitit. Sipas këtij konstelacioni, Evropa do të duhet të konkurrojë me Azinë për qasje në gazin natyror të lëngshëm.

 Zvogëlimi i likuiditetit dhe rritja e kostove të huamarrjes. Institucionet financiare të BE-së mund të goditen nga sanksionet financiare, të cilat më tej mund të kenë ndikim negativ të pafavorshëm mbi likuiditetin dhe kostot e huamarrjes. Aktualisht, institucionet financiare në pronësi të huaj i kontrollojnë mjetet me vlerë 60 miliardë euro ose 4% të mjeteve të përgjithshme në sistemin bankar rus.

Raiffeisen, Societe Generale, Unicredit janë bankat kryesore që mund të goditen nga sanksionet e vendosura ndaj sektorit bankar. Edhe nëse nuk zbatohen plotësisht, sanksionet do të sjellin efekte negative të rrjetit nëse bankat me pronësi të huaj posedojnë mjete ose detyrime ndaj personave juridikë të sanksionuar, gjë që do të çonte në rënie të papritur të disponueshmërisë së mjeteve likuide ose në rritje të nevojës për ruajtje të kapitalit. Me destinimin e investitorëve drejt mjeteve (aseteve) pa risk dhe arit, duhet të pritet dobësimi i njësive monetare dhe kosto më të larta huamarrjeje në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Republika Çeke do të goditej më pak nga ky aspekt, ndërsa Hungaria dhe Rumania do të përballeshin me rënie më të madhe të njësive të tyre monetare dhe rritje të normave të interesit për kreditë.

 Sanksionet me Rusinë mund të reflektohen edhe ndaj ekonomisë evropiane, veçanërisht në Gjermani

 Me çfarë sanksionesh BE-ja dhe SHBA-ja mund ta ndëshkojnë Rusinë? – Një nga sanksionet e mundshme është sigurisht kufizimi ose ndërprerja e importit të energjencave nga Rusia. Kjo do të thotë se gazsjellësi Nord Stream 2 nuk do të vihet në përdorim, gjë që do ta godasë ndjeshëm Rusinë, por edhe BE-në dhe veçanërisht Gjermaninë. Ky skenar është më pak i mundshëm, pasi do të kishte pasoja të konsiderueshme për ekonominë evropiane dhe rrjedhimisht edhe për atë globale.

Skenari i dytë është anashkalimi i bankave ruse nga qasja në monedhat e huaja. Kjo do të shkaktonte trazira të konsiderueshme financiare në Rusi, ulje të kreditimit dhe investimeve, ndaj do të ishte e nevojshme që shteti të të reagonte me përkrahje të konsiderueshme financiare për sektorin bankar.

 Skenari i tretë është ndalimi i eksportit të produkteve të teknologjisë së lartë në Rusi. Ky skenar nuk është i pamundur, sepse ka ende pjesë të teknologjisë së lartë që Rusia nuk mund t’i furnizojë nga Kina. Ndalimi i tillë do të godiste vetëm disa veprimtari, por jo ekonominë ruse në tërësi.

Gjithashtu, duhet pasur parasysh se vendosja e sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-ja, me shumë gjasa do të pasohet nga vendosja e sanksioneve nga Rusia.

 Sfidat e ekonomisë evropiane do të reflektohen edhe në ekonominë tonë

Ekspozimi direkt i vendit tonë ndaj ekonomive ruse dhe ukrainase është relativisht i vogël. Importi dhe eksporti në secilën prej tyre gravitojnë rreth 1%. Gjithashtu, përfaqësimi i tyre në investimet e huaja direkte në vend, si dhe në fluksin e remitancave është nën 1%.

Pjesëmarrja e eksportit drejt Rusisë në eksportin e përgjithshëm drejt vendit tonë në periudhën 2011-2021 shënoi rënie të lehtë, nga 0.9% në vitin 2011 në 0.7% në vitin 2021 (me eksport prej 47.6 milionë euro). Pjesëmarrja e importit nga Rusia në importin e përgjithshëm gjatë dhjetë viteve të fundit është ulur ndjeshëm, nga 6.3% në vitin 2011 në 1.6% në vitin 2021 (me import prej 147.2 milionë euro). Në Rusi prej vendit tonë eksportohen kryesisht barna, fruta dhe perime, ndërsa importohet gaz natyror. Njëkohësisht, Rusia është importuesi më i madh i gazit natyror në vendin tonë dhe ka pjesëmarrje prej 96.5% në importin e përgjithshëm të gazit natyror.

Në rast të eskalimit më të madh të konfliktit ushtarak në Ukrainë, do nevojitet kërkimi i tregjeve alternative për eksportin e këtyre prodhimeve dhe për furnizimin me gaz natyror dhe mund të pritet mungesë e këtij prodhimi, gjë që do të çonte në rritje të çmimit të tij. Nga Rusia importohen kryesisht prodhime prej hekuri ose çeliku dhe është importuesi i tretë më i madh i tyre në vendin tonë, pas Rumanisë dhe Ukrainës. Në rast të eskalimit të mëtejshëm të konfliktit ushtarak, mund të pritet ndikim edhe në industrinë e përpunimit të metaleve dhe industrinë e ndërtimit që i shfrytëzojnë këto prodhime dhe do të jetë e nevojshme të kërkohen tregje alternative si Serbia, Turqia dhe Kina.

Eksporti në Ukrainë gjatë 10 viteve të fundit u zvogëlua nga 2.1% në 2011 në 0.2% në 2021 (me eksport prej 14.4 milionë euro). Pjesëmarrja e importit nga Ukraina në importin e përgjithshëm në 10 vitet e fundit është zvogëluar, nga 2.2% në 2011 në 1.3% në 2021 (me import prej 124.3 milionë euro). Më së shumti eksportojmë ilaçe, akulmatorë elektrikë dhe prodhime bujqësore, ndërsa importojmë prodhime hekuri ose çeliku, siç u përmend më lart.

Përveç efekteve direkte në ekonominë e Maqedonisë, përmes shkëmbimit tregtar, zhvillimet në Ukrainë mund të kenë efekt negativ në ekonominë evropiane dhe globale, përmes çregullimeve të mëtejshme të zinxhirëve globalë të furnizimit, përkatësisht efektit negativ në kërkesën e jashtme. Si ekonomi e vogël dhe e hapur që është shumë e lidhur me atë evropiane, ne do t’i ndjenim çrregullimet e tilla. Mund të ketë edhe kujdes më të madh tek investitorët e huaj dhe vendas, gjë që do të ndikonte në nivelin e investimeve.

Me vëmendje i ndjekim zhvillimet dhe krijojmë skenarë adekuat për rezultatet e mundshme. Rezervat e mallrave janë në nivelin e duhur, buxheti është likuid dhe kemi mjete për të reaguar nëse duhet. Kemi gjithashtu instrumente për t’i vënë në dispozicion për përshtatje përballë çregullimeve të mëdha të tregjeve.

Në drejtim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve, tashmë kemi ndërmarrë masat e duhura, përmes caktimit të limiteve për marzhin e disa prej prodhimeve bazë. Shteti zvogëloi edhe TVSH-në e energjisë elektrike dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohen kostot që qytetarët paguajnë për energjinë elektrike. Gjithashtu, jemi të gatshëm të miratojmë masa dhe politika në interes të qytetarëve, para së gjithash për mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, si dhe për përkrahjen e ekonomisë.

 Një analizë e thellë në kriza të tilla, ka rëndësi të madhe, duke marrë parasysh të gjithë parametrat, madje edhe ata që duken të vegjël dhe të parëndësishëm për momentin, për të arritur pritshmëritë më të sakta. Nuk duhet të përhapim pesimizëm apo optimizëm, por të jemi realist dhe të veprojmë sipas situatës. Me një strategji të tillë vepruam edhe gjatë pandemisë kur miratuam 6 pako të masave antikrizë në përkrahje të qytetarëve dhe ekonomisë dhe për të cilat në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare morëm mirënjohje se kemi reaguar fuqishëm dhe në kohë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme