Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media, tha se vitin e kaluar dhe këtë vit shteti ka blerë naftë, mill, gjëra ushqimore dhe higjienike.
Ajo shtoi se mallrat shtetërore janë sekrete dhe nuk tregohet as sasia dhe as nga cili vend vinë, pasi kontrata sipas ligjit është konfidenciale dhe mund ta rrezikojë furnizimin në të ardhmen.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se sot janë parë pranë mullive kolona të gjata për millë, por shtoi se nuk duhet të bëhet panik sepse janë të furnizuar mjaftueshëm.
“Duam t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për një sjellje të tillë, meqenëse jemi mirë të furnizuar dhe kemi siguruar edhe kanale të tjera. Për më tepër ne kemi ndarë edhe shumën, ditë më parë, prej 10 milionë euro për t’u furnizuar me rezerva shtetërore dhe konsiderojmë se nuk ka nevojë për imazhe të tilla, siç kemi parë sot”, tha ai.
Murati po ashtu bëri lutje për media dhe qytetarët që të kenë vigjilencë më shumë këto ditë me lajmet e rreme, të cilat mund ta influencojnë sjelljen tonë.