Nga afër 2900 bursa të ndara nga Ministria e Arsimit për studentët e Universiteteve publike dhe private të vendit, vetëm 373 janë për studentët shqiptarë. Ministri i arsimit Pishtar Lutfiu pretendon se pavarësisht këtyre rezultateve, studentët shqiptarë kanë qasje të njëjtë deri te këto bursa si kolegët e tyre të përkatësive të tjera etnike.
“Unë mund ta komentoi atë që BDI në momentin kur ka marrë institucionet e arsimit, të gjithë studentët, pa marrë parasysh, janë trajtuar në mënyrë të barabartë. Mund të them që edhe shqiptarët kanë pasur qasje dhe janë trajtuar në mënyrë edhe më të veçantë për të mos pasur pasoja dhe për t’ju ikur këtyre problemeve”, deklaroi për Alsat-M Pishtar Lutfiu, ministër i arsimit.
Për të gjithë kategoritë e bursave, gjithsej kanë konkurruar 669 studentë shqiptarë, përafërsisht dyfishi i atyre që kanë marrë përgjigje pozitive. Rezultatet u publikuan një ditë më parë por me dhjetë ditë vonesë nga afati i paraparë. Lutfiu përsëriti se Ministria nuk është përgjegjëse për vonesën, por rezultatet janë shpallur atëherë kur ka dhënë leje Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.
Bursat janë ndarë për studentët e kategorive sociale, për studentët që kanë arritur rezultate të larta, për studentët e informatikës dhe të shkencave matematike-natyrore, etj.