Deputetët nuk pranojnë t’u rriten pagat

Deputetët e Kuvendit të Kosovës llogaritet se kanë paga të mira dhe të ardhura solide shtesë.

Krahasuar me pjesën tjetër të popullatës, deputetët mund të llogarisin në pagesën për secilin angazhim, qoftë nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare, në mbledhjet e komisioneve dhe kompensimet për udhëtimet jashtë apo brenda vendit.

Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.

Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.

Pavarësisht, këtyre kompensimeve, në bazë të projektligjit të ri për pagat, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, në nenin 19, ku flitet për kompensimin e pagave, është shtuar një pikë ku propozohet “të rriten kompensimet për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare për deputetët, deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë”.

Në bazë të këtij projektligji, deputetët, për seanca plenare do të marrin nga rreth 300 euro.

Shoqëria civile dhe disa deputetë të partive në pozitë dhe opozitë, e kanë kundërshtuar këtë projektligj, pasi e konsiderojnë të padrejtë rritjen e kompensimeve për këtë kategori.

Instituti Demokratik i Kosovës bën monitorimin e rregullt të punës së legjislativit. Përfaqësues të këtij Instituti thonë se duhet të pritet versioni përfundimtar, i cilin do të arrijë në Kuvend, në mënyrë që të analizohet dhe të jepet një pasqyrë më e qartë, nëse bëhet fjalë për rritje të pagës bazë apo mëditjeve apo edhe zvogëlim të pagës së deputetëve.

Pavarësisht kësaj, Albert Krasniqi, nga ky Institut, e konsideron të paarsyeshme çfarëdo rritje të të hyrave materiale të deputetëve.

“Paga mesatare vjetore e deputetëve është rreth 23 mijë euro, që është një pagë dukshëm më e lartë sesa paga mesatare në Kosovë, e cila është 360 euro, kurse për deputetë është 2000 euro”.

“Pra, po flasim për një pesëfish të rrogës së deputetëve në relacion me pagën mesatare. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është shumë i ngadalshëm dhe çfarëdo rritje e pagave të deputetëve, do të duhej të lidhej me pagën mesatare”, vlerëson Krasniqi.

Rritja e buxhetit për pagat e deputetëve, megjithatë nuk i ka gëzuar të gjithë ligjvënësit. Disa e shohin të paarsyeshme që të ketë rritje, ngase e vlerësojnë se kanë pagë mjaft të mirë.

Disa nga deputetët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk e kanë parë ende projektligjin, por theksojnë se propozimi për rritjen e shtesave është në kundërshtim me gjendjen sociale ekonomike në vend.

Safete Hadërgjonaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se pavarësisht që nuk e ka lexuar ende projektligjin, nuk e beson që është propozuar rritja e mëditjeve.

Unë nuk e kam marrë ligjin ende. Nuk di çka të them. Qysh po e dëgjoj përmes medieve, unë mendoj se me këtë 20 përqindëshin nuk iu rriten mëditjet, por zvogëlohen”, thotë Hadërgjonaj.

Kurse, Shpejtim Bulliqi, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nëse ky projektligj parasheh rritje të mëditjeve, ai nuk do ta votojë atë.

“Mendoj se pagat, të cilat aktualisht marrin deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një nivel relativisht të lartë, në raport me pagën mesatare në Kosovë. Prandaj, besoj se nuk ka ndonjë arsye të ketë rrije”, konsideron Bulliqi.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se do të insistojë që të hiqen të gjitha përfitimet shtesë të deputetëve, pasi, siç shprehet ajo, mjafton paga bazë.

“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, vazhdimisht kemi pasur qëndrimin se deputetët duhet të kenë vetëm pagën e tyre, e jo shtesa për seanca plenare dhe komisione parlamentare. Për faktin se është e pashpjegueshme pse deputetët, përveç pagës prej 1.488 euro, të marrin edhe shtesa për komisione dhe seanca”, thekson Haxhiu.

Miratimin e këtij projektligji dhe rritjen e shtesave për deputetët e kundërshtojnë edhe disa pensionistë, të cilët marrin nga 75 euro në muaj.

Njëri nga ta është, Hilmi Rrahmani, i cili ka punuar në Postën e Kosovës:

“Unë marr 75 euro në muaj, as për barna nuk më dalin. Unë mendoj se deputetëve duhet t’iu zvogëlohen pagat, e jo t’u rriten, sepse përveç rrogës ata marrin edhe shtesa tjera. Në anën tjetër, disa qytetarë jetojnë në varfëri. Për mua është shumë e padrejtë”.

Përderisa pensionistët e moshës marrin 80 euro në muaj, pensionistët kontribut pagues marrin prej 140 deri në 240 euro në muaj.

Në anën tjetër, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Kurse, shkalla e papunësisë në vitin 2016 ishte 26.2 për qind, që krahasuar me vitin 2015, kishte shënuar rënie për rreth 6 për qind.

Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme