Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka konfirmuar se në takimet e radhës që do të mbahen në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa.
“Kryeministri Mustafa është në koordinim të vazhdueshëm me presidentin Thaçi për pjesëmarrjen në takimet e radhës në Bruksel”, ka thënë Abrashi për Klan Kosovën.
Siç tashmë dihet, dialogu do të vazhdojë të martën e javës së ardhshme, me 24 janar.
Më herët është bërë e ditur po ashtu se në takim do të jetë edhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq.
Nuk është bërë e ditur përse ka ardhur deri tek ky ndryshim në përbërjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Por, në ngjarjet e fundit; siç ishte ajo me tendencën për të sjellur një tren me slogane kundër shteti të Kosovës, janë parë të përfshihen të dy presidentët, edhe Nikoliq i Serbisë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Madje, Thaçi në një prononcim për mediat në Prishtinë ka thënë se po të mos ishte urdhri i tij treni serb nuk do të ndalej fare.