LEXO EDHE:
Gazetare: Fatlume Dervishi
BE-ja falënderon vendin që u rreshtua me të në dënimin e sulmeve të Putinit mbi popullin e Ukrainës por edhe më tej nuk mund t’i sigurojë datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit, shkruan Alsat.
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së Zhozep Borell filloi turin rajonal në Shkup, për t’u siguruar që vendet, anëtare të ardhshme të unionit, veprojnë në përputhje me vlerat e BE-së në këto momente vendimtare.
“Mendoj se momenti është tani. Ne e kemi thënë vazhdimisht se vendi është i gatshëm të fillojë negociatat. Ua kemi thënë këtë edhe vendeve anëtare të BE-së dhe fakti që Maqedonia e Veriut plotësisht u rreshtua me veprimet dhe vlerat e BE-së dëshmoi edhe një herë se vendi i Maqedonisë së Veriut është në familjen e unionit. Premtim? Unë nuk mund të premtoj por mund t’u siguroj se bëjmë gjithçka mundemi që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vërtetë të fillojnë në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”, tha Zhozep Borell, përfaqësues i politikës së jashtme të BE-së.
Borell kërkoi nga Shkupi zyrtar të vazhdojë me reformat e brendshme. Por qeveria pret më shumë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski i tha Borellit se situata në Ukrainë ka shtuar nevojën për proces të parashikueshëm dhe të shpejtë anëtarësimi, për më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor.
“Është me rëndësi kyçe që BE-ja dhe vendet anëtare të përfshihen maksimalisht sepse zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë është çështje strategjike por edhe e sigurisë. Lufta që po bëhet është rrezik për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon, gjë për të cilën të gjithë duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të përgatitur. Lënia e boshllëkut gjeostrategjik në anën tonë të Evropës nuk është opsion. Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit do të sigurojë stabilitet dhe zhvillim të Evropës. Kemi nevojë për procese të parashikueshëm, të besueshëm, të përforcuar dhe të përshpejtuar të integrimit në BE”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Borell në Shkup takoi edhe presidentin Stevo Pendarovski, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe koordinatorët e grupeve parlamentare. Gjatë vizitës ai njoftoi pakon e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë si përgjigje ndaj sulmeve të Putinit mbi popullin e Ukrainës. Sanksionet do të kenë të bëjnë me taksat tregtare, kriptovalutat, eksportimin e mallrave luksoze, etj. Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme tha se BE-ja punon për të siguruar diversitet në furnizimin me energji me qëllim që të reduktohet varësia dhe të pengohet rritja e çmimeve. Premtojnë mbështetje për siguri më të lartë kibernetike dhe në luftën kundër lajmeve të rreme. /Alsat.mk