Selmanaj: Takimi i nesërm në Bruksel s’është vazhdim i dialogut ku ka mbetur

Driton Selmanaj nga “Demokracia Plus” ka shprehur bindjen se takimi i nesërm mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk është vazhdim i dialogut aty ku ka mbetur, por do të jetë një temë konkrete rreth tensionimit të raporteve mes dy vendeve.

“Në fakt nesër nuk vazhdohet dialogu në të cilin kanë mbet në gjysmë për shkak të mos realizimit të plotë të marrëveshjeve, por është një temë konkrete rreth asaj se pse po ndodh ky tensionim i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Duket që BE-ja dëshiron ta ndërmjetësojë këtë proces, duke e ngritur në nivel të presidentëve, për të dëshmuar që ata të heqin dorë nga ai diskurs i dhunës dhe thirrjeve për ndonjë luftë që ne kishim nga ana e presidentit Nikoliq. Nuk e shoh këtë tendencë vazhdimësi e asaj ku ka mbetur, por e shoh si një rast i ri, një ngjarje e re për një tematikë të caktuar, jo pse s’po zbatohen marrëveshjet por në fakt çfarë po ndodhë në raportin Kosovë-Serbi dhe pse është tensionuar kaq shumë situata”, thotë ai për KosovaPress.

Selmanaj thotë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut, por se Kosova duhet të jetë e përgatitur mirë për këtë dialog dhe me agjendë konkrete, pasi që vendi ka hyrë e papërgatitur në këtë proces që nga fillimi. Ndërsa thotë se është koha për të krijuar një unitet të ri në skenën tonë politike, por dhe me gjerë për tematikat që lidhen me Serbinë, ku duhet të përfshihet fuqishëm edhe opozita në gjithë procesin.

Ai shtoi se nuk është momenti i duhur që Kosova ta ndërrojë formatin e bisedimeve dhe që dialogu të ngritët në nivel presidentësh.

“Ne duhet me mendu që të hyjmë në këtë proces të dialogu sa t’i normalizojmë raportet, dhe më pas të mendojmë për ndryshimin e formatin që mund të jetë në nivel të presidentëve për të arritur pajtimin por kjo nuk duket asgjëkundi, nuk jemi në stad për të thënë se tash ta ndërrojmë në nivel të presidentëve sepse jemi në fazën e pajtimit. Në fakt jemi në fazë dhe më keq se sa kemi qenë para se të fillojë ky dialog. Situata është tejet e tensionuar dhe raporti reciprok po del të jetë goxha i tensionuar dhe si i tillë nuk është koha që ne ta ngrehim në nivel të presidentit sot dialogun. Çka na duhet neve, na duhet një auditim i brendshëm, një revizion i krejt kësaj çka kemi bërë deri sot, edhe për të ia sqaruar vetës dhe për të pasur plane strategjike të Kosovës, se a jemi në rrugë të mbarë në këtë proces apo jemi duke i shkaktuar më shumë dëme vendit se sa progres. Kjo ndodh me një konsultë të brendshme përfshirë shumë faktorë, jo duke na ftuar BE-ja, por ne fillimisht duhet t’i kemi planet tona dhe më pas të jemi të gatshëm të shkojmë atje. Unë nuk e besoj që në këtë fazë Kosova është mirë ta ndërroj formatin e bisedimeve dhe të mbërrij në nivel të presidenteve. Sepse ky president ka qenë kryeministër dhe ky president ka fillu dialogun, dhe me këtë personalitet, ne i kemi pothuajse krejt këto marrëveshje, i kemi produkt të këtij personaliteti. Si mund t’i besojmë ne që vetëm me ndërrimin nga posti i kryeministrit në postin e presidentit, mund të ndryshoj qasja, absolutisht jo”, thotë ai.

Ndërsa, deklarimet e opozitës për ndërprerje të dialogut i quan deklarata vetëm për konsum ditor.

“Mendoj që ajo është për konsum ditor politik. Nuk është qasje pragmantike. Jam i sigurte që po të ishin ata në situatë të tillë, ose nesër po të vijnë nuk do ta ndërprenë dialogun asnjëherë. Cila është kërkesa e drejtë e tyre është se ne duhet ta rishikojmë krejt këtë proces”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme