Si sot 25 vite më parë, më 28 mars të vitit 1997 një anije shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane, aty ku humbën jetën 81 persona, ndërsa trupat e 23 viktimave nuk u gjetën kurrë.
Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme.
Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit fqinj.
Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë.
Nga përplasja me anijen italiane te përmbysja në ujërat e ftohtë të Adriatikut:
“Katri i Radës” u nis nga Porti i Vlorës me 115 vetë në mbasditen e datës 28 mars 1997 me destinacion Brindizin Italinë, duke lundruar nëpërmjet Kanalit Jugor të Gjirit të Vlorës.
Kapiten i anijes “Katri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Katri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577).
Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katrit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.
Në pamundësi të ndalimit të “Katrit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën karvetës “SIBILA” (F-588). Tashmë “Katri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos. Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive.
Në orën 16:30 ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katrit të Radës” më shumë se normat e lejuara. Afrimi ishte fatal dhe “Katëri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë. Korveta “SIBILA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Katri i Radës” kishte një tonazh prej vetëm 40 ton.
Mbas mbytjes së “Katrit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi.
Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxori nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjendën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. 23 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur.
Jehona ndërkombëtare dhe nisja e hetimeve për ngjarjen tragjike:
Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997 pati një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare, edhe për faktin e deklaratave kontradiktore në politikën italiane.
Në 5 prill 1997, deputetja italiane Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaroi se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë, ajo kërkoi falje pas 14 vjetësh.
Marina Luftarake Italiane menjëherë, në datën 29 mars 1997, nisi një hetim të brendshëm, ku konkludoi se kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Katri i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes.
Në 17 nëntor 1998 Prokuroria e Brindisit përfundoi hetimin për këtë tragjedi.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Brindisit vendosi që Namik Xhaferi, drejtuesi i anijeas “Katri i Radës” të dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, komandant i korvetës “SIBILA” (F-588) të dënohet me tre vjet heqje lirie.
Në vitin 2011 dënimi i tyre u ulën respektivisht në tre dhe dy vjet.
Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inagurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare“Katri i Radës (A-451) .
Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane.
Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizuan një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit.
Në vitin 1998 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Vorrezat e Qytetit të Vlorës.
Si anija “Katri i Radës” Flota Luftarake Shqiptare ka patur katër copë. Sot ka ngelur vetëm një, tepër e dëmtuar dhe në gjendje të mbytur në Raguza 2, Karaburun.
Ndoshta nxjerrja e saj dhe krijimi i një monumenti të qytetin e Vlorës do të ishte një nderim i munguar për këtë tragjedi dhe 81 jetët njerëzore që humbën jetën.
Ish-ambasadori shqiptar në Romë, Pandeli Pasko: Dhimbje e madhe, isha i pari që takova të mbijetuarit!
Tragjedinë e Otrantos e ka rikujtuar edhe ish-ambasadori shqiptar në Romë, Pandeli Pasko, i cili i ftuar në Abc Live, është shprehur se në atë kohë ai është akuzuar shumë dhe pse ka qenë një ndër personat e parë që ka marrë dëshmitë e para të të ngujuarve dhe mbijetuarve në prefekturë, të cilët u zotuan se do të qëndronin aty deri në daljen e anijes së fundosur.
Ai është shprehur se dhimbja ishte e madhe dhe nga kontakti i parë që ai ka pasur me të mbijetuarit ka bërë që zëri i tyre të dëgjohej në të gjithë botën, pasi ishin dhe ato që bënë identifikimin dhe dërgimin e kufomave pranë të afërmve.
“Mua më kujtohen shqiptarët e asaj nate që vendosën të ngujohen në atë prefekturë dhe thanë se kur të dalë anija në sipërfaqe do të dalë. Kur vërtetuan se anijet ishin përplasur ishte një dhimbje që u përhap dhe kufomat e gjetura u sollën në Shqipëri, ishte një qëndrim stoik i tyre në atë kohë. Jam ndjerë shumë i akuzuar në atë periudhë, kur kam gjetur personat që ishin të ngujuar kam marrë vesh çfarë ka ndodhur. Kam qenë personi i parë që kam komunikuar me këto persona dhe pastaj përmes kontakteve bëra që zëri i tyre të dëgjohej në të gjithë botën. Mbase qeveria shqiptare në atë kohë nuk e kuptoi se duhet që të ishte pjesë e gjyqeve, nuk e di se çfarë ka ndodhur në atë kohë por nuk arritur që vendin ta bënte pjesë të gjykimit. Ne tani nuk i bëjmë dot gjërat që janë bërë por dita e mbytjes së anijes duhet që të vendosej dhe në Vlorë si një simbolikë për të treguar se çfarë ka ndodhur vërtet në atë tragjedi, për të treguar brezave të rinj se çfarë ka ndodhur. Populli shqiptar nuk harron shpejt, paso populli është ai i të afërmve të 34 viktima që humbën jetën në atë tragjedi midis tyre jam dhe unë. Ne duhet që ti përkujtojmë me soliminitetin që i takon ngjarjes, duke gjallëruar dhe pikëpyetjet sesi shkoi, por lënia në harresë është gjëja më e keqe. Pala italiane përpjekjet e mia i ka parë me shumë respekt. Kryetarja e parlamentit të kohës bëri gabimin e saj pasi vetëm disa ditë pasi ndodhi ngjarja ku ardhja e shqiptarëve ishte bërë problem ajo bëri një prononcim të keq. Ajo menjëherë e kuptoi gabimin e saj dhe pas 14 vitesh erdhi në Shqipëri nuk e di pse dhe për çfarë qëllimi”, ka thënë ish-ambasadori shqiptar në Romë, Pandeli Pasko.