Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar më 29 mars se në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër një të pandehuri me inicialet M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Republikës së Serbisë.
Prokuroria Speciale tha se aktakuza kundër M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile’’.
I pandehuri M.A. gjendet nën masën e sigurisë, të paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.
Sipas Prokurorisë, rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, komuna e Skenderajt.
Hetimet 12-mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A, së bashku me persona ende të paidentifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar.
“Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale, për të cilën po akuzohet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Speciale, janë marrë deklaratat të m1% shumë se 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të rastit. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video-incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se me datë 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vra popullsia civile e pafajshme”.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se “hetimi i Masakrës së Izbicës, nuk përfundon me ngritjen e kësaj aktakuze”.
“Rasti është më i madh dhe shumë më kompleks dhe për këtë arsye hetimet janë ende duke vazhduar për të dyshuar të tjerë, për sigurimin e provave tjetra materiale të rëndësishme për zbardhjen në tërësi të kësaj çështjeje penale”.
Në të gjithë territorin e Kosovës, gjatë periudhës së luftës u vranë rreth 14 mijë persona.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve te Prokuroria dhe gjykatat vendore.
Sipas EULEX-it, ky mision kishte dorëzuar 495 dosje policore të krimeve të organizuara, 434 dosje policore të krimeve të luftës, dosje policore për persona të pagjetur, dosje gjyqësore që janë shqyrtuar vetëm nga EULEX-i, dhe më shumë se 1400 dosje prokuroriale.
Organizatat vendore që monitorojnë sistemin e drejtësisë, kanë thënë se hetimi i krimeve të luftës nuk ka qenë efikas.
Një hulumtim mbi gjykimin e krimeve të luftës i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në vitin 2021, ka vënë në pah se nga muaji tetor i vitit 1999 deri në qershor 2020, nga gjyqtarët e UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë janë dënuar gjithsej 40 persona. Prej tyre sipas IKD-së, 35 janë shqiptarë dhe katër serbë.