Dëshira dhe thirrjet që Kosova të jetë anëtare e NATO-s janë më të pranishme se asnjëherë më parë, që kur ka filluar lufta e Rusisë në Ukrainë.
Por përpos politikanëve e zyrtarëve të Kosovës, këtë për Kosovën po e kërkojnë edhe miq të saj.
Kjo kërkesë u bë nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, në samitin e NATO-s në Bruksel të mbajtur të enjten, ku liderë nga 30 vendet anëtare të aleancës diskutuan pushtimin rus të Ukrainës.
Ai ka propozuar që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike, derisa tha se “askush nuk e përmendi Kosovën, as Serbinë”.
“U përmend rajoni, Bosnja dhe Hercegovina si një vend që është gjoja i rrezikuar, por askush nuk e përmendi Serbinë dhe Kosovën. Serbia pas pak ditësh ka zgjedhje dhe kam përshtypjen se është në krizë identiteti për një kohë të gjatë”, ka thënë Milanoviq pas takimit.
“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ka thënë Presidenti Milanoviq.
E për këtë ai u falënderua nga ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj.
“Ju faleminderit Miku ynë i madh! Do të vazhdojmë së bashku me ju, vendin tuaj dhe popullin vëlla kroat në rrugën e prosperitetit dhe mbrojtjes së vlerave euroatlantike të lirisë, demokracisë, duke i shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”, shkroi ministri në Facebook.
Por, derisa presidenti kroat përmendi Kosovën dhe kërkoi anëtarësimin e saj në NATO, vëmendje mori heshtja e kryeministrit shqiptar Edi Rama për këtë çështje, i cili po ashtu ishte i pranishëm në këtë samit.
Ai u kritikua shumë për këtë qëndrim të tij duke mos mbështetur Kosovën, as nuk iu bashkua kërkesës së presidentit kroat.
Batusha: Rama të avokojë dhe mbështes shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit
Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e VV-së, Agon Batusha, thotë për gazetën “Bota sot” se më e pakta që ka mundur të bëjë Rama është që të mbështesë dhe avokojë shtyrjen përpara të këtij procesi me rëndësi për Kosovën.
“Është e natyrshme që kryeministri shqiptar të jetë në krye të iniciativa të tilla për Kosovën. Përderisa kryeministri kroat ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet sa më parë në NATO, më e pakta që mund të bëjë z. Rama është që ta mbështesë dhe të avokojë për shtyrjen përpara të kësaj çështje me rëndësi historike. Jo si çështje “nderi” ndaj Kosovës, por kjo duhet të trajtohet si pjesë e sigurisë dhe paqes rajonale e kontinentale. Pra, si domosdoshmëri strategjike bilaterale dhe multilaterale të konjukturave të sigurisë, sidomos në perspektivën e sulmeve hibride që po ndodhin në Ballkan dhe Evropë”, është shprehur ai.
Sipas Batushës, Kosova duhet të jetë më aktive, dhe të intensifikojë diplomacinë për anëtarësim në NATO.
“Gjithsesi, organet shtetërore të Republikës sonë janë aktive dhe duhet të intensifikojnë edhe më shumë lobimin që Kosova të paktën të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO-s, si hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë të sigurisë”, thotë deputeti Agon Batusha për “Bota sot”.
Duhanaj: Hap i madh nga Kroacia për Kosovën
Ndërsa, analisti Leon Duhanaj, duke folur për këtë çështje thotë se anëtarësimi në NATO është politik, që ka pasur dhe vullnet nga shtete të tjera përpos Kosovës që kjo e fundit t’i bashkohet kësaj Aleance.
“Anëtarësimi në NATO i shteteve të reja kandidate, në këtë rast i Kosovës, është proces procedural, por mbi të gjitha politik. Pra, për t’u anëtarësuar, përpos kritereve të kërkuara kërkohet vullneti politik për ta shtyrë një akt të tillë përpara. Në disa qarqe ndërkombëtare është vërejtur një motiv i mirë karshi Kosovës në ketë drejtim, me ç’rast kemi hasur në deklarata sporadike, të cilat kanë shprehur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Përpos vullnetit të shprehur nga pala jonë për anëtarësim, kemi edhe përfaqësues nga shtete të ndryshme që janë deklaruar pro anëtarësimit”, thotë për “Bota sot”.
Duke folur për deklaratën e presidentit kroat, ai thotë se është një hap mjaft i madh pasi u bë në prezencën e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.
“Madje kërkesa e Presidentit kroat në kuadër të Samitit të NATO-s për anëtarësim të Kosovës, konsideroj që ishte një hap goxha i madh, sepse thirrja u bë në prezencën e të gjitha vendeve anëtare dhe edhe pse nuk është komentuar më tej, as nuk është kundërshtuar nga askush. Në këtë kontekst, konsideroj që Kosova duhet ta aktivizojë diplomacinë multilaterale, por mbi të gjitha atë bilaterale, qoftë me shtetet përkrahëse të shtetësisë së Kosovës siç janë SHBA-ja, përkatësisht shtetet e QUINT-it, qoftë të kërkoj drejtpërdrejtë nga shtetet anëtare të NATO-s, të cilat akoma nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë dhe t’i hapin rrugë konsensusit për anëtarësim të Kosovës në NATO”, vlerëson Duhanaj.
Nuk duhet fajësuar Shqipëria apo Edi Rama
Ndërsa, sa i përket heshtjes së Ramës në këtë samit, ai thotë se nuk duhet fajësuar atë apo Shqipërinë, pasi ka bërë dhe vazhdon ta bëjë më të mirën për Kosovën.
“Nuk mendoj që Kosova duhet ta fajësojë Shqipërinë, përkatësisht Kryeministrin Rama për ndonjë gjë. Shqipëria ka bërë vazhdimisht dhe vazhdon të bëjë më të mirën për Kosovën. Madje është më mirë që kërkesa të tilla të vijnë nga një shtet si Kroacia, se sa nga Shqipëria apo edhe vetë Kosova. Në këtë kontekst, nuk mendoj që ka shumë hapësirë për komente e akuza, sa për koordinim diplomatik dhe aktivitet proaktiv”, deklaron Leon Duhanaj për “Bota sot”.