Në bursa, çmimi aktual i naftës ka zbritur në rreth 104 dollarë për fuçi, nga 120 dollarë që arriti një javë më parë.
Në rënien e çmimeve ndikoi vendimi i SHBA-ve , teksa presidenti Joe Biden urdhëroi lëshimin më të madh nga rezervat strategjike të naftës, në një përpjekje për të ulur kostot e larta të karburantit. Lëshimi i deri në 180 milionë fuçi nafte gjatë 6 muajve është më i madhi që nga krijimi i rezervës në vitin 1974.
Në tregun vendas, nafta ka zbritur sot në 231 lekë për litër, nga 245 lekë për litër që arriti kur karburanti në bursa ishte 120 dollarë për fuçi. Pritshmëritë janë dhe për një ulje tjetër me 2-3 lekë për litër, sipas operatorëve të tregut.
Sipas grafikut që ndjek lëvizjet e çmimeve në bursta ndërkombëtare dhe në tregun vendas, rezulton që rritja në bursa reflektohen me ritme më të larta në tregun vendas, ndërsa ulja e tyre është përgjithësisht në nivele më të ulëta (shiko grafikun: Nafta në bursa dhe tregun vendas, muaji mars 2022).
Psh, në datat 14-15 mars, kur nafta në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi, në vend Bordi i Transparencës, i cili që prej fillimit të muajit mars vendos çmimet e karburanteve dhe gazit, e fiksoi në nivelin e 203 lekë për litër.
Kur nafta arriti në 121 dollarë për fuçi, nafta në tregun vendas u rrit në 245 lekë.
Tashmë që në bursa ari i zi zbriti në 104 dollarë për fuçi, në tregun vendas është 231 lekë për litër, ose rreth 30 lekë për litër më shumë, ndërsa diferenca në bursa ëhstë rreth 6-7 dollarë më e shtrenjtë aktualisht në krahasim me 14-15 marsin (kolonat me të kuqe në grafik i përkasin datave kur nafta në bursa ishte në nivelet më të ulëta).
Si shpjegohet ky ritëm më i ngadaltë i uljes në krahasim me rritjen në nivele më të larta?
Sipas operatorëve të tregut, llogaritja e çmimit të naftës varet nga shumë faktorë, përveç çmimit të bursës, si densiteti, premiumi i paguar, kursi i këmbimit lek/dollar, disponueshmëria e tij në treg etj. Një tjetër arsye lidhet me faktin që nga 25 marsi ka pasur një ndryshim në formulën se si Bordi e llogarit çmimin e karburanteve, sipas të cilëve operatorëve u njihen shpenzimet fikse operacionale, pas kostos së blerjes së mallit, të provuara me dokumente, por pa asnjë marzh fitimi. Kosto shtesë e njohur është rreth 15 lekë për litër, shkruan Monitor.
Ulet çmimi i naftës, benzina shënon ngritje
Çmimi i naftës ka pësuar sërish ulje këtë mëngjes, kurse benzina ka shënuar rritje. Nga një vëzhgim në pikat e karburantit vërehet se nafta sot shitet me 231 lekë për litër, duke rënë me 6 lekë të tjera. Kurse benzina ka pësuar një rritje të lehtë. Ajo rritet me 1 lekë, duke u shitur në treg 212 lekë/ litër.
Megjithatë Bordi i Transparencës ende nuk ka publikuar çmimet e reja zyrtarisht. Në përditësimin e fundit të bërë më 29 mars, çmimet e naftës dhe gazit janë ulur lehtë. 1 litër naftë u tregtua për 237 lekë nga 245 lekë që ishte më parë. Për benzinën, çmimi u la 211 lekë për litër nga 218. Në përditësimin e fundit rritje shënoi edhe gazi, një litër e të cilit u la 116 lekë nga 110 lekë..
Sipas njoftimit të bordit, mbledhja e ardhshme pritej të ishte më datë 31.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. sot është data një prill dhe Bordi ende nuk ka marrë vendime të reja.
Vendimi i Bordit të Transparencës datë 31.3.2022
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 31 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
- Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022, si më poshtë:
- 219 Lekë/litri për gazoilin;
- 200 Lekë/litri për benzinën;
- 103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.
- Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022, si më poshtë:
- 231 Lekë/litri për gazoilin;
- 212 Lekë/litri për benzinën;
- 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 1 Prill, deri në datë 2.4.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.