Një ngjarje makabër është regjistruar mesditën e sotme në fshatin Vidhishtë, Roskovec të Fierit, ku 61-vjeçari, Xhevair Hoxha masakroi me thikë nusen e tij 30 vjeç, Merushe Hazizi.
E kthyer në një skenë të frikshme krimi, shtëpia që mesa duket ishte edhe një ndër shkaqet që solli tragjedinë, u lye me gjakun e Merushe Hazizit në banjën e banesës dhe vijoi me vetëvarjen në pemë të 61-vjeçarit.
Nga raportimet e vazhduara të Gazetës Shqiptare, u mësua paraprakisht se shkaku i këtij rasti horror ishte fakti se viktima dhe Fatjon Hoxha, i biri i Xhevair Hoxhës kishin lënë martesat e tyre fillestare dhe kishin nisur një bashkëjetesë së bashku në Fier.
Duke mos përballuar dot sherret dhe kërcënimet e të atit, Fatjon Hoxha sëbashku me partneren e tij, nisën një jetesë të re në Fier për dy vite, e më pas, duke menduar se gjërat ishin zbutur, ata u rikthyen për disa javë në fshat.
Dëshmitë e shumta nga fqinjët dhe të afërmit thanë se e nuk e kishin marrë seriozisht Xhevairin kur u thoshte se nëse nusja kthehej në fshat do ta vriste.
“E dinin që kishin sherre po na e mori mendja që do shkonin deri këtu.”-thanë disa prej tyre.
Ndërkohë, bashkëshortja e Xhevair Hoxhës, e pyetur nga mediat, duke pastruar njollat e gjakut shtroi një tjetër arsye të ngjarjes së rëndë. Sipas saj, mes çiftit dhe Xhevairit kishte nisur një konflikt i dytë, ai i pronësisë së shtëpisë.
“Ajo i thoshte ik se nuk ke shtëpi këtu. Xhevairi e ndërtoi shtëpinë dhe nuk e gëzoi. Edhe nusja e parë prandaj iku e shkreta se djali shkonte me këtë.”-tha e veja.
Para se të njiheshin Merushja dhe Fatjoni kanë qenë të martuar. 30-vjecarja nga martesa e parë ka tri fëmijë të cilët janë nën kujdestarinë e ish burrit të saj. Ndërsa Fatjoni ka një vajzë kujdestarinë e së cilës e ka marrë ish bashkëshortja.
Gazeta Shqiptare solli edhe pamjet ekskluzive të momentit kur Fatjoni shoqërohet nga disa fqinjë e të afërm tek shtëpitë e tij i përlotur. Siç duket edhe nga videoja, Fatjoni shfaqet me duar në kokë duke ecur drejt shtëpisë së tij në zi, ku humbi partneren dhe të atin ashtu siç edhe ky i fundit e kishte paralajmëruar./GSH