25 profesionistë apolitikë nga Kosova dhe diaspora u kanë bërë thirrje institucioneve më të larta të vendit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.
Në thirrjen drejtuar presidentit të vendit, kryeministrit, ministrit të FSK-së dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ata kanë shprehur shqetësimet lidhur me zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë, duke marrë parasysh ekspozimin e territorit të Republikës së Kosovës ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Serbia.
“Pavarësisht mundësive të kufizuara financiare të Kosovës dhe nevojave të shumta në sferën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, etj. siguria kombëtare nuk ka çmim. Ajo është parakusht për zhvillim. Përvojat tona të vazhdueshme si popull kanë dëshmuar se në mungesë të strukturave efektive mbrojtëse, popullata civile e vendit dhe interesi i Kosovës janë dëmtuar në vazhdimësi”, thuhet ndër të tjerash në thirrjen e nënshkruar në mënyrë elektronike nga 25 profesionistë apolitikë nga Kosova dhe diaspora.
Kjo është komunikata e plotë e këtij grupi:
Presidentit të Republikës së Kosovës
Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Ministrit të FSK-së
Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Ne të poshtëshënuarit
1. Të shqetësuar për zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe duke marrë parasysh ekspozimin e territorit të Republikës së Kosovës ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Serbia
2. Të vetëdijshëm për:
• pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe rrezikun e ndarjes së vendit
• rrezikun e përfshirjes së të gjithë rajonit në një konflikt të ri me shkallë të gjerë
• zhvillimet politike e gjeostrategjike në rajon dhe në botë
• mungesën e mekanizmave efikas mbrojtës të Republikës së Kosovës
• prezencën e NATO-s në Kosovë dhe nevojën e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në të
3. Duke u thirrur në:
• parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ligjet dhe zakonet ndërkombëtare për paqe e siguri
• Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe
• të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetmbrojtje në rast të agresionit të jashtëm bëjmë
THIRRJE
për krijimin e menjëhershëm të Ushtrisë së Kosovës me qëllim që kjo ushtri t’i shërbejë interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial e sovranitetit të vendit.
Me Ushtrinë e Kosovës duhet të krijohet infrastruktura e kompletuar mbrojtëse përfshirë komponentët për mbrojtje tokësore, ajrore dhe kibernetike.
Kjo infrastrukturë mbrojtëse duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pavarësisht mundësive të kufizuara financiare të Kosovës dhe nevojave të shumta në sferën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, etj. siguria kombëtare nuk ka çmim. Ajo është parakusht për zhvillim. Përvojat tona të vazhdueshme si popull kanë dëshmuar se në mungesë të strukturave efektive mbrojtëse, popullata civile e vendit dhe interesi i Kosovës janë dëmtuar në
vazhdimësi. Ne nuk guxojmë të lejojmë të na përsëritet historia.
Kjo thirrje është nënshkruar në mënyrë elektronike nga (sipas alfabetit):
Emri e Mbiemri Profesioni Vendi
1. Abit Hoxha – Studiues i mediave dhe sigurisë – Gjermani
2. Agim Musliu – Njohës i sigurisë – Kosovë
3. Agim Morina – Gjuhëtar – Britani e Madhe
4. Agon Maliqi – Politolog – Kosovë
5. Anton Ahmetaj – Ekonomist – Norvegji
6. Arben Hajrullahu – Politolog – Kosovë
7. Arber Ahmeti – Studiues i sigurisë – Austri
8. Armend Bekaj – Politolog – Suedi
9. Avni Zogiani – Hulumtues – Kosovë
10. Bekim Baliqi – Politolog – Kosovë
11. Besnik Pula – Sociolog – SHBA
12. Dardan Velija – Konsulent i politikave publike – Kosovë
13. Donik Sallova – Politolog – Kosovë
14. Gani Ahmetaj – Afarist – SHBA
15. Ganimete Asllani – Juriste – Britani e Madhe
16. Getoar Mjeku – Avokat – SHBA/Kosovë
17. Jeta Rudi – Ekonomiste – SHBA
18. Kujtim Dobruna – Ekonomist – Austri/Zvicër
19. Lumir Abdixhiku – Ekonomist – Kosovë
20. Pal Shtufi – Afarist – Zvicër
21. Petrit Zogaj – Politolog – Kosovë
22. Pëllumb Kelmendi – Politolog – SHBA
23. Shkëlzen Gashi – Studiues – Kosovë
24. Uk Lushi – Ekonomist – SHBA
25. Valmir Ismaili – Politolog – Kosovë
© KOHA.