Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Bytyqi beson se rritja e pagave në arsim, qoftë edhe për 10 për qind, siç është propozuar nga Qeveria, do të ndikojë në rritjen e inflacionit, por thotë se është rrezik i llogaritur.
“Interesi më i lartë në këtë moment është që fëmijët të kenë të drejtën e arsimit të garantuar me Kushtetutë. Pavarësisht nga të gjitha palët e interesuara. Ne kemi bërë një hap përpara, si të thuash, edhe pse kemi pasur plane të caktuara, me vetëdije kemi hyrë në këtë spirale të rritjes së pagave”, deklaroi Bytyqi për “360 gradë” në TV Alsat.
Bytyqi thotë se duhet diskutuar edhe për produktivitetin, duke bërë një paralele mes sektorit privat dhe atij publik.
“Në sektorin privat ne kërkojmë produktivitet dhe efikasitet, e njëjta gjë duhet të kërkohet edhe në sektorin publik”, tha Bytyqi.
I pyetur për qëndrimin e SASHK-ut se cilësia e nxënësve që vijnë nga sistemi ynë arsimor varet nga kushtet e këqija të punës dhe mungesa e mjeteve adekuate, Bytyqi u përgjigj se përgjegjësia është e të gjithëve të përfshirë në sistem.
Ai ka treguar se ai vetë u ka thënë sindikatave se meritojnë paga më të larta dhe dinjitoze, por me parime vlerash dhe metodologji të qëndrueshme.