Gazetare: Melihate Rustemi
Ndërprerja e përkohshme e grevës në çerdhe ka shtuar dukshëm numrin e fëmijëve për përkujdes në këtë institucion. Në çerdhen “Fidani” në Çair numri i fëmijëve kishte arritur deri në 230 krahasuar me ditët e grevës kur numri i fëmijëve ishte 40, shkruan Alsat.
“Kemi funksionuar, prej ditës së parë të grevës ne nuk jemi ndalur mirëpo shumica e prindërve e kanë përkrah grevën mirëpo sot është vërejtur ndryshimi. Grevën ende e mbështesin të gjithë mirëpo për shkak të fëmijëve e kanë ndërprerë sepse shumica e prindërve e kanë pas problem të madh pasi janë të vegjël edhe nuk ka pasur kush të kujdeset për ta”, deklaroi Gëzime Bakiu, drejtorshë e çerdhes “Fidani”.
Në çerdhet e Komunës së Butelit dhe asaj të Komunës Shuto Orizarë nuk pranuan të flasin për nisjen e funksionimit normal të punës në çerdhe. Mbrapa kamerës thanë se po kryenin të gjitha aktivitetet e parapara me program.
“Ka fëmijë, kanë ardhur, sigurisht kanë dëgjuar që s’ka grevë. Ditëve tjera si ishte me numrin e fëmijëve? S’kemi pasur fëmijë”.
“Sikur në të gjitha çerdhet edhe ne kishim grevë, sot punojmë normalisht, kemi rreth 50 fëmijë”.
Qytetarët që takuam në afërsi të çerdheve thanë se mbështesin grevën por e njejta të realizohet pa ndërprerë procesin edukativo-arsimor.
“Si prind, vlerësoj që çerdhet duhet të funksionojnë, të punojnë, kush bën grevë ta bëj atë me punë dhe jo të mos punojë. Ndoshta kanë paga shumë të ulëta, asnjëherë nuk është mjaftueshëm”.
Të martën, sipas SASHK-ut pjesa më e madhe e të punësuarve në çerdhe u shprehën për ndërprerje të grevës me qëllim që kujdesi i fëmijëve të mos mungojë ndërsa prindërit e punësuar të mos rrezikojnë vendin e punës për shkak se s’ka kush të kujdeset për fëmijët e tyre./Alsat.mk