Andrea Çobanova
Pagat e drejtorëve apo anëtarëve të bordeve drejtuese në disa prej ndërmarrjeve publike që janë nën ombrellë shtetërore sillen nga 1000 deri në 3000 euro. Nga informacionet publike të kompanive është thuajse e pamundur të zbulohet saktësisht se sa është paga e disa prej drejtorëve. Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi ndryshime në Ligjin për Paga, sepse në disa raste pagat apo shtesat e këtyre zyrtarëve janë më të larta se paga e presidentit.
“Ka kompani publike në të cilat anëtarët e bordit kanë paga më të larta se presidenti dhe janë kompani që krijojnë humbje”, tha Dimitar Kovacevski- kryeministër.
Në gjashtë muajt e ardhshëm do të punohet për Ligjin e ri për Paga. Përkundër të ardhurave të larta buxhetore, disa OJQ vazhdimisht theksojnë arsimimin e ulët të drejtuesve të disa kompanive. Gjithashtu, anëtarët e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës zgjidhen kryesisht sipas parimit të lojalitetit partiak e jo në bazë të profesionalizmit.
“6% e drejtorëve dhe 11% e këshillave mbikëqyrës nuk kanë arsim të lartë. Anëtarët e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës zgjidhen sipas parimit të lojalitetit partiak dhe kanë kapacitet të dobët për të kontribuar në mënyrë thelbësore në punën e ndërmarrjes publike”, thonë nga Instituti i Demokracisë.
Akoma më shqetësues është fakti se, edhe pse këta persona marrin paga të larta, vitet e fundit administrata është bërë gjithnjë më joefikase.
“Pavarësisht rritjes së administratës publike, produktiviteti ka rënë në mënyrë dramatike prej 13,1 %. Administrata publike duhet të ketë sistem të rreptë apo kritere të rrepta për punësim në të, ku duhet të hyjnë ata që janë më meritorë, por edhe sistemi i pagesave të jetë i shpejtë në bazë të produktivitetit. Ata që janë produktiv duhet të kenë paga më të larta”, deklaroi Bllagica Petreski- “Finance Think”.
Reforma e administratës është premtim i pothuajse çdo qeverie. Janë premtuar shkurtime të pagave, shkurtim të numrit të nëpunësve, departizim dhe transferim në sektorin privat./Alsat.mk