Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja tronditëse në qytetin e Korçës, ku një 40-vjeçare, e cila rezulton se vuante nga probleme të shëndetit mendor, pasi kishte lindur fëmijën e saj, e kishte mbyllur në një valixhe prej disa kohësh, e për pasojë foshnja kishte ndërruar jetë.
Trupi i pajetë i foshnjës së sapolindur është zbuluar rastësisht nga bashkëshorti i 40-vjeçares, i cili ishte emigrant në Greqi, por kishte rreth një muaj që ishte kthyer në shtëpi, ndërsa gjatë gjithë kohës deklaroi se kishte ndier një erë shumë të rëndë në shtëpi, por pa e kuptuar se nga vinte.
Zbulimin tronditës ai e bëri ditën e sotme, duke e denoncuar menjëherë në polici, madje duke thënë se fëmija nuk ishte as i tij, pasi ai kishte mbi një vit që nuk ishte kthyer në banesë. Ndërkohë mësohet se çifti kanë edhe një fëmijë tjetër, një djalë 15 vjeç, i cili vuan nga autizmi.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe mjekja e Spitalit të Korçës, Nikolina Bode, e cila shprehet se familjarët e kanë konstatuar shtatzëninë e 40-vjeçares në muajin dhjetor të vitit të kaluar, atëherë kur shtatzënia ka qenë e dukshme.
“Ata kanë tentuar ta vizitojnë, por 40-vjeçarja ka kundërshtuar. Gruaja është diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor 3 vite më parë por nuk pranonte të mjekohej. 40-vjeçarja vuan nga çrregullime serioze të shëndetit mendor psikotike për shkak të të cilave ajo ka humbur lidhjen me realitetin duke pretenduar se fëmijën e ka lindur dikush tjetër dhe jo ajo.”, u shpreh ndër të tjera në prononcimin e saj për mediat mjekja Nikolina Bode.