Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur të mërkurën më 4 maj të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren e Tiranës, Anila Capo për shkak të dorëheqjes së saj, si dhe i ka hequr asaj të drejtën për t’u riemëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.
Në vendimin e arsyetuar të KPK konstatohet se nga subjekti i rivlerësimit është kërkuar dorëheqje të parevokueshme nga detyra, kur i është kaluar barra e provës në kriterin e pasurisë.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Capo ka filluar në janar të vitit 2020 dhe në shkurt të 2022-it, trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon, ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht vetëm për kriterin e pasurisë si dhe e ka njoftuar subjektin për barrën e provës.
Në vendim sqarohet se gjyqtarja Capo ka kërkuar shtyrjen të afatit për paraqitjen e provave dhe përfshirjen në rezultatet e hetimit edhe të dy kritereve të tjera të vlerësimit, atë të kontrollit të figurës dhe profesionalizmit. KPK shprehet se e ka informuar Capon se diskutimi dhe vendimarrja për dy kriteret e tjerë kryhet pasi subjekti arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës.
Sipas trupës së KPK, kur pritej që gjyqtarja Anila Capo të depozitonte prova dhe shpjegime për një pjesë të barrës së provës për të cilat kishte kërkuar kohë shtesë, ajo ka njoftuar se kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga statusi i gjyqtarit dhe funksioni i saj pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke bashkëlidhur edhe kopje të kërkesës.
Në vijim, Komisioni është njohur me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ të datës 25 mars 2022, për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Anila Capo, për shkak të dorëheqjes së saj.
Pasi është konfirmuar fakti se ndaj këtij vendimi të KLGJ-së subjekti nuk ka paraqitur ankim, është thirrur për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por Capo e ka refuzuar këtë të drejtë.
Në përfundim, KPK ka vendosur të deklarojë ndëprerjen e vetingut për Capon dhe ti ndalojë asaj emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare./BIRN