Nga Vlora në një vizitë në zyrat e Gjendjes Civile, zv Ministri i Brendshëm Andi Mahila, është pyetur edhe për ngjarjen në Kavajë. Ai ka theksuar se gjithçka mbetet në hetim. Reagimi sipas zv Ministrit ka qenë i menjëhershëm dhe duhet pritur përfundimi i hetimeve për të dalë në një konkluzion të saktë dhe jo të dalim në perfundime ende pa përfunduar hetimet të cilat tashmë kanë nisur.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë në të cilën vdiq 31-vjeçari Ilvi Meta, tronditi qytetin e Kavajës. I riu ishte ndaluar nga policia ditën e djeshme në orën 14:00 si i dyshuar për vjedhje, ndërsa vetëvrasja mësohet se ka ndodhur rreth orës 19:08, kur Meta ka kryer aktin ekstrem.
“Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Policisë së Kavajës, pak minuta pas aktit ekstrem të të riut.
Ilvi Meta një emër i njohur për policinë:
Ilvi Meta, 31 vjeçari që u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme brenda komisariatit të Kavajës, ishte një emër jo pak i njohur për policinë. I riu, u arrestua mesditën e së mërkurës për vjedhje, ndërsa për të njëjtën vepër penale ai ishte shoqëruar 18 herë që nga viti 2014.
Ndërkohë babai i 31-vjeçarit pretendon se djali i tij nuk është vetëvrarë, por i ka “mbetur në dorë policisë”. Sipas tij Ilvi nuk kishte shenja në qafë dhe as të nxira, ndërsa shtoi se nuk ishte një djalë problematik për policinë.
Ndërkohë, mësohet se viktima ishte dënuar 3 herë për vjedhje. Më konkretisht Meta, ishte dënuar në 13 mars të 2011 nga Gjykata e Kavajës me 8 muaj burg për vjedhje. Po për të njëjtën akuzë, në vitin 2012 ai u dënua me 16 muaj burg, ndërsa në datën 07 gusht të 2010, gjykata e Durrësit e ka dënuar me 4 muaj burg po për vjedhje.
I riu Meta u vu në pranga, pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në 2 prill në një banesë në Kavajë për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash. Denoncimi ishte bërë nga pronari i banesës që jetonte jashtë vendit, pasi kishte mësuar që i ishte vjedhur banesa.
E dyta ngjarje e rëndë brenda pak muajve në komisariatet e policisë:
Kujtojmë se, kjo është ngjarja e rëndë e dytë që ka ndodhur brenda një harku kohor shumë të shkurtër. Vetëm pak javë më parë, në 28 mars të këtij viti, një 26-vjeçar i vuri flakën qelisë në Komisariatin e Kamzës, ku për pasojë humbi jetën, teksa 2 të tjerë mes tyre dhe një polic u asfiksuan.
Hetimet zbuluan se 2 punonjësit e policisë Hajredin Boja dhe Fatmir Isufi nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda./GSH