Punonjësit në çerdhe që ishin në grevë nuk do të marrin të plota pagat për muajin prill. Këtë e bëri të ditur ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska pas takimit me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit. Ajo shtoi se po kërkohet zgjidhje ligjore që mëditjet e papaguara t’u komepenzohen muajve të ardhshëm.
“Për momentin këtë pagë do e marrin të ulur mirëpo bashkë me SASHK-un, ekipi juridik në ministri dhe ekipi i SASHk-ut do të gjejmë zgjidhje që si bartës të veprimtarisë edukatorë dhe përkujdesës dhe duke pas parasysh se e drejta për të kërkuar pagë më të lartë dhe për të bërë grevë është e drejtë kushtetuese, do të gjejmë zgjidhje të përbashkët që e gjithë kjo në muajt e ardhshëm t’u kompenzohet”, deklaroi Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se Marrëveshja Kolektive për mbrojtje të fëmijëve nuk parasheh pagesën e mëditjeve në rast të grevës kundrejt asaj në arsim që parasheh një gjë të tillë.
“Megjithatë, ekzistojnë norma të caktuara ligjore që duhet respektuar dhe nuk është e thjeshtë të gjendet zgjidhje e duhur. Marrëveshja kolektive në arsim ka dispozitë që garanton pagesë të mëditjeve, fatkeqësisht në mbrojtjen e fëmijëve ose punë dhe politikë sociale nuk kemi. Megjithatë, do të gjendet një model me të cilin do të jenë të kënaqur të gjithë, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.
Në takimin rreth tre orësh u bisedua edhe për Marrëveshjen e re kolektive në çerdhe që skadon në muajin qershor. Të dyja palët u shprehën se kanë përafruar qëndrimet e tyre për këtë marrëveshje e cila duhet të ofrojë zgjidhje të reja që do të nënkuptojnë përmirësimin e kujdesit parashkollor dhe edukimit të fëmijëve. Për këtë çështje madje do të formohen edhe dy grupe pune, ajo e ministrisë së punës dhe SASHK-ut që do të punojnë për krijimin e marrëveshjes së re kolektive. /Alsat.mk