Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar shumë të qëlluar kërkesën që pasqyrat financiare të subjekteve politike të bëhen transparente, por edhe të auditohen.
Mustafa ka thënë se si kryetar i LDK-së ka kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së të kërkojnë zyrtarisht nga KQZ-ja që pasqyrat financiare të LDK-së të dorëzuara në KQZ të jenë publike dhe të qasshme për çdo qytetar.
Ai ka thënë se LDK do të aktivizojë edhe Web-faqen e saj dhe do të prezantojë çdo cent të shpenzuar për partinë.
Mustafa ka shfrytëzuar rastin edhe të sulmojë Lëvizjen Vetëvendosje.
“Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e molotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente”, ka shkruar Mustafa në faqen e tij zyrtare në Facebook.