Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Person me invaliditet se keni kaluar, ku është vendimi. Ku është vendimi më trego. Po i ndodhi gjë asaj problem me ju do kemi ti e bërë me invaliditet nënën”.
Lot, revoltë e kërcënime. Kështu ishte atmosfera në shtëpinë e kulturës në Gostivar, pas shpalljes së listës paraprake për personat që kanë fituar të drejtën për shfrytëzimin e banesave sociale. Përderisa për disa ndarja ishte e drejtë dhe dolën të qeshur nga Pallati i Kulturës në për të tjerët ndarja e banesave sociale ishte e padrejtë.
“Na dha premtim ministri se do na vendos në banesë si njerëz, e jo të mbetemi në rrugë. Ku të shkojmë ne tash ku të flemë, gjashtë muaj flemë rrugëve. Na u dogj baraka mbetëm në rrugë, s`kemi as familje asgjë. Për këtë tallen me neve. Ministri më premtoi, vet më pranoi Boçvarski, i tregova se toka është shtetërore, ministri tha pse si vendosni si duhet personat. Thanë po do i vendosim në banesë sociale, vetë Irena Petanova tha do lajmërohet për 20 ditë, kur shkuam atje na përzunë shkoni te ministri na thonë. Nuk e di pse s`jam në listë, 32 vjet kemi jetuar në barakë, si dolën investitorët na shkatërruan neve”, u shpreh një zonjë.
“Kjo është grua me aftësi të kufizuara, ndërsa neve na thonë nuk ekzistoni në këtë listë. Unë ju them se kemi aplikuar me dokumente dhe i thamë drejtoreshës, ajo tha do e bëjmë se nëna është me aftësi të kufizuara e tash nuk jemi askund. Tash na thonë shkoni flini para Qeverisë. Ja kjo është ajo që na sqaruan”, deklaroi Senad Abdii.
Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, kërkoi nga personat që nuk janë në listë, të parashtrojnë ankesa.
“Të gjithë personat që nuk do të gjenden në listë pas marrjes së vendimit kanë të drejtë ankese për vendimin nga ana e komisionit. Procedura nga ana e komisionit për vërtetimin e dokumentacionit është bërë në mënyrë shumë profesionale dhe transparente, kështu që vërtetohet edhe sot se në mënyrë shumë të qartë u zbulua edhe lista preliminare e kandidatëve”, u shpreh Bekim Rexhepi, zv. Ministër i Transportit.
Të drejtë aplikimi për shfrytëzimin e banesave sociale, kanë fëmijët pa prindër, personat me të ardhura të ulëta, persona të prekur nga fatkeqësitë natyrore, personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarë të komunitetit romë, të rrezikuar në aspektin social sipas strategjisë për romët dhe prindër të vetëm me fëmijë të moshës minore. Në Gostivar kanë aplikuar gjithsej 170 persona, për 70 banesa sociale. Lista që u shpall sot, nuk është përfundimtare, e njëjta mund të ndryshoje pas kontrolleve që do bëhen brenda ditëve, për verifikimin e gjendjes nëpër familje sipas dokumentacionit të dorëzuar në aplikim./Alsat.mk