Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski në përmbylljen e Samitit të OJQ-së “Maqedonia 2025” që u zhvillua dje dhe sot në Shkup theksoi se këtë vit duhet më shumë se një vizion për përparimin e Maqedonisë së Veriut, diçka që zakonisht e ofrojnë samitet e “Maqedonia 2025”. Në këto kohë të paparashikueshme, suksesi i ekonomisë së Maqedonisë së Veriut do të varet jo vetëm nga faktorët e jashtëm, që nuk mund të ndikojmë, por mbi të gjitha nga përkushtimi për reforma të brendshme.
“Kur njerëzit pushojnë së besuari se mund të ndryshojnë diçka, ata thjesht pajtohen me fatin. Rreziku më i madh nuk janë vetë krizat, por qëndrimi ndaj tyre. Dilema është nëse do të kërkojmë zgjidhje apo do të kënaqemi me një vijë më të ulët të rezistencës pas ngjarjeve,” tha Pendarovski.
Ai theksoi se rezistenca ndaj krizave nuk është vetëm materiale, por edhe mendore.
“Nëse duam ta zëvendësojmë pafuqinë kolektive me shpresën kolektive, do të duhet të arrijmë drejt burimit kyç, dhe ky është vullneti. “Maqedonia 2025″ që nga fillimi i saj, e deri më sot ka arritur të ndihmojë biznesin në Maqedoni, të kalojë disa kriza kombëtare dhe globale, të frymëzojë gjenerata të reja të liderëve të biznesit, të tërheqë investitorë të shumtë të huaj dhe të ruajë shpresën se mund ta ndryshojmë realitetin pavarësisht nga konteksti,” theksoi Pendarovski.
Tani, pas tre vjetësh, shtoi ai, bota duket dramatike.
“Pandemia shkaktoi një recesion global, krizë energjetike dhe goditje çmimesh në tregjet globale. Në vitin 2024, ekonomia globale do të jetë të paktën 2.3 për qind më e vogël se sa do të ishte pa pandeminë. Pushtimi rus i Ukrainës ka çuar gjithashtu në një krizë evropiane të energjisë dhe ushqimit. Në të njëjtën kohë, përballemi me bllokada të integrimeve evropiane dhe me emigrim të të rinjve,” tha mes tjerash Pendarovski.