Deputeti i Parlamentit të Serbisë, Bojan Torbica, është rrahur keq nga dy persona të maskuar, ndërsa pas trajtimit në spitalin e veriut të Mitrovicës dhe me insistimin e tij, është dërguar menjëherë në Beograd.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:45, afër rektoratit të Universitetit të Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës.
“Dy persona me maska në kokë kanë ndaluar mbrëmë rreth orës 21:45 tek moteli ‘Beli Dvor’ në veri të Mitrovicës, automjetin e tipit Audi A6 me targa NS-274 ZZ me të cilin ishte duke udhëtuar deputeti i Serbisë Torbica. Ata me forcë e kanë nxjerr deputetin nga automjeti duke e goditur me grushte dhe shqelma dhe duke i shkaktuar lëndime në kokë, derisa kanë ikur në drejtim të panjohur”, kanë thënë burimet.
Sipas këtyre burimeve, viktima është nga radhët e Lëvizjes socialiste të Aleksandar Vulinit, ndërsa dyshohet se është sulmuar nga pjesëtarët e partisë SNS.