Kryeministri Isa Mustafa duket se e kishte seriozisht kur e shkroi këtë fjali: gjatë këtij mandati nuk u shënua asnjë aferë korruptive. Kjo tregon se kryeministrit nuk i bëjnë përshtypje historitë e aferave të dyshuara korruptive ku janë të përfshirë djemtë e tij. Me gjasë, kryeministrit i duken normale veprimet e Qeverisë, të cilat çojnë drejt pasurimit të djemve të tij. Drejt pasurimit të tyre, cili po ndodh në kohën kur vendi vuan nga shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë. Në kohën kur qytetarët që i udhëheq nuk e kanë mundësinë të jetojnë sikurse djemtë e tij. Nuk kanë mundësi, po ashtu, që të bëjnë dasmë të shtrenjtë në një prej hoteleve më luksoze të kryeqyteti, siç bëri Besniku, para dy muajsh.
Më 1 mars të këtij viti bëhen njëmbëdhjetë vjet prej se Bajram Kosumi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Për shumëkënd emri i tij asocion me aeroplanin.
Kurdo që përmendet emri i tij, shumëkujt i kujtohet kthimi i tij i famshëm nga Turqia për në Kosovë me një aeroplan privat, i cili supozohej se kishte një kosto prej mbi 20 mijë eurosh.
Këtë rrëfim Kosumi e la si trashëgimi për ta kujtuar njerëzit që i ka udhëhequr për disa vjet.
Por, për çfarë do të kujtohet kryeministri aktual, Isa Mustafa?
Ndoshta në vitin 2028 apo 2029 do të bëhen njëmbëdhjetë vjet prej se kryeministri Mustafa do të largohet nga ky post. Mustafa do ta lë si trashëgimi një rrëfim të ngjashëm sikurse Kosumi, ku “protagonist kryesor” është një mjet transporti.
Është e famshmja BMW X5. Duke rrëfyer për të, do ta kujtojmë mandatin e Isa Mustafës në krye të Qeverisë. BMW X5 ka një histori të gjatë, në të cilën janë protagonist kryesor ai dhe dy djemtë e tij. Do ta kujtojmë edhe për licencat për terminale, një prej të cilave e mori kompania e drejtuar nga djali i tij.
Por, duket se kryeministrit Mustafa nuk i bën përshtypje përfshirja e djemve të tij në afera të dyshuara korruptive.
E dëshmoi këtë dje, kur shkroi në Facebook lidhur me ri-pozicionimin e Kosovës në matjet e perceptimit të korrupsionit nga Transparency International.
Kosova është renditur në vendin e 95-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 106-të. Ky mund të cilësohet një lajm i mirë, por nuk është për t’u entuziazmuar. Për t’u gëzuar do të ishte shënimi i sukseseve në luftën kundër korrupsionit, e jo në luftën kundër perceptimit të korrupsionit.
Megjithatë, kryeministri e vlerësoi si sukses dhe tregoi faktorët që kanë ndikuar në realizimin e tij.
Ishin tre: suspendimi i zyrtarëve ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë, prokurimi elektronik dhe fakti se gjatë tërë mandatit të tij nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive.
Faktori i renditur si i treti nuk ekziston për shkak se gjatë mandatit të Isa Mustafës kanë ndodhur afera të shumta korruptive.
Tri prej tyre vlerësohen si më të mëdhatë. Në dy prej aferave të mëdha korruptive janë përfshirë djemtë e tij, Besniku dhe Arbeni
1. Afera e BMW X5-shit
Ishte gushti i vitit 2015. Deri atëkohë nuk kishte ndodhur asnjëherë që djemtë e një kryeministri të fitonin tender, pikërisht nga Zyra e Kryeministrit.
Gjatë qeverisjes Mustafa u thye akulli.
Nëse deri asokohe ky veprim dukej vetëm imagjinar, Zyra e Kryeministrit Mustafa e bëri fakt të prekshëm.
Kompania “Makcar”, pronë e djemve të kryeministrit, Besnikut dhe Arbenit, u shpall fituese nga Zyra e Kryeministrit në tenderin për servisimin e veturës BMW X5.
Dy ditë pasi e publikova këtë skandal, kryeministri Mustafa vendosi për anulimin e tenderi dhe u zotua se djemtë e tij nuk do të fitonin më tenderë publikë.
Nëse nuk do të ishte një aferë korruptive, atëherë kryeministri nuk do ta anulonte tenderin një ditë pas raportimit të skandalit.
Por, zotimi i kryeministrit, Isa Mustafa që djemtë e tij, Besniku e Arbeni, nuk do të fitojnë më tenderë nga Qeveria, doli i rremë.
Kryeministri Mustafa nuk arriti që t’i qëndrojë besnik për më shumë se dy muaj fjalës së dhënë publike në gusht të vitit 2015, zbuloi sot kolegu im, Vehbi Kajtazi.
Disa muaj pas anulimit të tenderit, ZKM vendosi që veturën BMW X5 t’ia japë në shfrytëzim Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Nga ky institucion, kompania “Makcar”, u kontraktua për servisimin e kësaj veture. Por, kësaj radhe çmim i kontraktuar ishte katërfish më i lartë, nga afro 3 mijë sa ishte në fillim u rrit në mbi 12 mijë euro.
2. Licenca e dyshimtë për terminalin e familjes së deputetes Margarita Kadriu
Para se Mustafa të shënonte në Facebook fjalinë “gjatë këtij mandati nuk ka pasur afera korruptive”, është dashur të kthehej në retrospektivë. Jo shumë larg në kohë, por në fillim të vitit 2016.
Ta kujtonte deputeten Margarita Kadriu. Nëse do ta kishte bërë këtë, ndoshta nuk do ta kishte shënuar atë rresht.
Rasti i terminalit të kompanisë “City Park”, pronë e Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriu, dëshmon për dorëzimin e shtetit përballë njerëzve të fuqishëm. Shteti kishte vendosur t’i përshtatej familjes Kadriu. Qeveria e koalicionit PDK-LDK ka ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve.
Ndryshimi i bazës ligjore kishte ndodhur vetëm dy muaj para votimit të Hashim Thaçit për president.
Kompania e tyre nuk i plotësonte kërkesat e udhëzimit të vjetër administrativ për licencimin e terminaleve. Shteti e ndryshoi udhëzimin administrativ. Udhëzimi i ri i përshtatej për mrekulli familjes Kadriu.
3.Terminali i drejtuar nga Arben Mustafa
Nuk është vetëm historia e BMË X5, ku janë të përfshirë anëtarët e familjes së kryeministrit Mustafa.
Është edhe licenca për terminal që e mori kompania “Intereuropa”. Kjo kompani drejtohet nga Arben Mustafa, djali i kryeministrit.
Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Lutfi Zharku i LDK-së, ishte kujdesur që t’ia jepte epitetin ‘Terminal i Mallrave’ kompanisë “Inter Europa Kosova”, pesëmbëdhjetë muaj para se ta pajiste me licencë.
Me këtë epitet e emëronte në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, ndonëse kompania nuk ishte e licencuar për të ofruar këtë shërbim.
Kjo ishte një përgatitje e terrenit për licencim.
Por, në këto tri histori- BMW, tenderët e fituar nga djemtë e tij dhe dy licencat e dyshimta për terminale- duket se Mustafa nuk sheh “mëkate”.
I duken normale veprimet e Qeverisë, të cilat çojnë drejt pasurimit të djemve të tij.
Drejt pasurimit në kohën kur vendi vuan nga shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë.
Por, ai duket se ndihet komod ndonëse qytetarët që i udhëheq nuk kanë mundësinë të jetojnë sikurse djemtë e tij.
Nuk kanë mundësi, po ashtu, që të bëjnë dasmë të shtrenjtë në një prej hoteleve më luksoze të kryeqyteti, siç bëri Besniku, para dy muajsh.