Deputeti i LSDM-së Nenad Kociq i ftuar në “Rruga drejt…” për të debatuar rreth zhvillimeve të fundit në Kuvend, përfshi edhe nismën e VMRO-DPMNE-së për interpelancë ndaj Talat Xhaferit, tha se deputetët e VMRO-së dëshirojnë të inskenojnë incident dhe të shfaqen si viktima, por sipas tij një gjë e tillë është shumë e qartë dhe e dukshme edhe nga opinioni, shkruan Alsat.
“Në Kuvendin e Maqedonisë ekziston një rregullore për punë dhe ajo rregullore vlen për të gjithë, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, të gjithë duhet t’i përmbahemi kësaj rregulloreje. Ajo që për momentin po ndodhë, është një dëshirë e VMRO-DPMNE-së që të inskenohet incident në Kuvend dhe mendoj se shpresojnë se do të ndodhë diçka sikurse 24 dhjetori, kur deputetët e LSDM-së u dëbuan nga kuvendi si valixhe të zbrazëta. Zoti Xhaferi këtë ua ka thënë se një gjë e tillë nuk lejohet. Shihet qartë qëllimi i deputetëve që të provokojnë një kontakt fizik…Ky skenarë që e kanë përgatitë dhe përmes të cilit dëshirojnë të shfaqen si viktima është shumë e dukshme dhe e qartë për të gjithë opinionin”, deklaroi Nenad Kociq, deputet i LSDM-së. /Alsat.mk