Kosovës sot nuk i duhet lufta. Më shumë se kurrë kemi nevojë për forcim të Republikës, shtetndërtim sovran, bashkërendim kombëtar, punë, drejtësi e paqe. Kështu u shpreh sot kryetari Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë me gazetarët, i cili për të gjitha ato të këqija që po i ndodhin aktualisht Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Isa Mustafën, ai nuk i sheh zgjidhje, por problem.
Agresioni i Serbisë karshi Kosovës nuk është i ri e as fundamentalisht i ndryshëm. Metodat mund të dallojnë herë pas herë duke iu përshtatur rrethanave, por qëllimi e efekti i tyre vazhdimisht janë të njëjta, tha fillimisht Ymeri.
Pavarësisht nëse ndërhyrjet vijnë në formën e murit, trenit, Listës Serbe, telekomunikacionit, energjisë, komunave me shumicë serbe, Zajednicës, strukturave ilegale e kriminale, qëllimi i tyre është i njëjtë – pamundësimi i Republikës së Kosovës, dhe mos realizimi i sovranizimit të saj.
Të gjitha këto ndërhyrje Serbisë iu mundësuan nga negociatat pa kushte e pa parime dhe koncesionet e vazhdueshme ndaj saj, si rrjedhojë e po këtyre negociatave.
Këto na sollën këtu ku jemi.
Rruga e negociatave dhe e koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe eksponentët kryesorë të kësaj rruge, Hashim .Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, nuk janë zgjidhja, por problemi
Ndërmarrjet avantureske për qëllime personale, të planifikuara keq, dhe ad hoc vetëm sa e rrezikojnë edhe më shumë Republikën e Kosovës, duke e dëmtuar edhe më shumë interesin e saj dhe mundësinë për shtrirje e kontroll sovran mbi territorin e resurset.
Nënshkruesit e “Zajednicës” nuk veprojnë për Kosovë sovrane, por për Kosovë me “Zajednicë”. Ndërhyrjet e tyre kanë për qëllim vetëm ringjalljen e “Zajednicës” së vdekur.
Prandaj këta tre, me këtë mendësi, me këto synime e qëllime, duhet të largohen sa më shpejt nga pozitat e tyre institucionale, që t’i hapin rrugë Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet demokratike e ndryshimi rrënjësor i politikës institucionale, veçanërisht karshi Serbisë, janë rruga përpara. Jo ndërmarrjet a ndërhyrjet e pjesshme për interesa personale, të uzurpatorëve të Republikës.
Kush më shumë e kush më pak, Thaçi, Veseli e Mustafa, dhe të tjerët si këta, kanë kontribuar herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë indirekte në krijimin e gjendjes aktuale që e kemi.
Dobësimi i vazhdueshëm i Kosovës prej çarmatosjes së UÇK-së, deri tek privatizimet e dialogu, deindustrializimi e uzurpimi i resurseve e kapaciteteve shtetërore, rrënimi ekonomik, e ka bërë atë një shtet që nuk mund të vetëmbrohet.
Sot kur jemi të kërcënuar me luftë si asnjëherë më parë që prej vitit 1999, jemi njëkohësisht nën një regjim gllabërues të udhëhequr nga politikanë të shantazhueshëm e skajshmërisht të papërgjegjshëm ndaj të mirës së përgjithshme.
Kosovës sot nuk i duhet lufta.
Më shumë se kurrë kemi nevojë për forcim të Republikës, shtetndërtim sovran, bashkërendim kombëtar, punë, drejtësi e paqe.
Serbia këtu ka qenë kolonizatore. Sot është ajo që mban një pjesë të territorit nën okupim dhe kontroll. Kosova dhe shqiptarët historikisht luftën e kanë pasur me Serbinë, jo me serbët.
Shtrirjen e sovranitetit në territorin tonë nuk e pengojnë bashkëqytetarët tanë serbë, as të ndonjë etnie tjetër. Këtë e pengojnë vetëm strukturat paralele e kriminale të Serbisë, dhe rrjetet kriminale të Kosovës. Ata që bëjnë thirrje për dhunë etnike janë armiq të Kosovës dhe armiq të shqiptarëve!
Lufta jonë është dhe do të jetë gjithnjë dekolonizuese, politike, por kurrsesi etnike.
Po ashtu, i bëj thirrje të gjithëve, shteteve mike të Republikës së Kosovës, atyre që e kanë njohur dhe e kanë ndihmuar Kosovën, që t’i kthejnë sytë kah Ballkani, dhe ta kuptojnë se e vetmja formulë për paqe është drejtësia dhe dekolonizimi, ashtu siç e ka kërkuar vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, e jo paqëtimi e pranimi i orekseve neokolonizuese e hegjemoniste të Serbisë, tha në fund kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.