ASH-ja, më herët mbajti një konferencë për shyp, në lidhje me skandalin që ndodhi pak më parë në mes të antarëve të Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE).
“Sot përfundimisht u vërtetua në vepër se pika e dobët e pushtetit të kriminalizuar ka qenë dhe është Pushteti Gjygjësor!
Krimi, korrupsioni, rrugaçëria dhe skenaret e tyre u manifestuan me vandalizëm dhe akte dhune ku me ose pa hiri, u godit edhe Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri.
I gjithë ky skenar i turpshëm filloi me tentimin për t’ua zgjatur mandatin gjykatësve dhe prokurorëve partiak të pushtetit, përmes kontrabandimit të ligjit. Pasiqë ne kundërshtuam, kryesuesi Arbër Ademi ofendoi personalisht Deputetin Halil Snopçe i cili e ftoi publikisht të kërkojë falje, por nuk ndodhi një gjë e tillë.
Më pas, Deputeti Snopçe kërkoi përsëri ndërhyrje procedurale e cila iu mohua dhe tentoi të votohet rendi i ditës. Në shenjë revolte, ne deputetët e Aleancës për Shqiptarët dolëm në foltore që të mbrojmë të drejtën tonë për diskutim dhe të parandalojmë kontrabandimin e ligjit. Pas kësaj pasoi turpi që e pa gjithë opinioni, dhuna dhe vandalizmi i koordinatorit të BDI-së.
Kjo nuk është hera e parë që bëjnë skenare të këtilla të dhunshme me qëllim fshehjen e krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Në Kuvend dhe skenën politike ka pasur shumë raste kur deputetët e BDI-së kanë mundur ta tregojnë veten, por i kemi parë të gjithë se si ikin nga komisionet ku duhet të mbrohen qytetarët, ose si përqafohen me kriminelët.
U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien në skenare të këtilla dhe lojra të fëlliqura të BDI-së të cilët i kap panika sa herë që u rrezikohet pushteti, ose nuk u shkojnë planet deri në fund. Të gjithë duhet të dënojmë fuqimisht këto akte vandale dhe vandalistët përfundimisht të mbajnë përgjegjësi.
Duam të njoftojmë gjithashtu se për sonte u ftuam edhe në kordinim, por ne nuk ulemi në një tavolinë me vandalistë të dhunshëm që nuk kanë të bëjnë as me demokracinë e as me politikën”, deklaruan nga ASH-ja.