Nuk dihet se çfarë planesh ka, por Serbia e Aleksandër Vuçiç po ecën me shpejtësi drejt armatosjes së saj.
Situata në vendin ku është ringjallur sërish edhe në nivele qeveritare rimarrja e veriut të Kosovës ngjan çdo ditë e më shumë, si një periudhë prag lufte. Së fundmi Serbia ka vendosur të bëjë një blerje të dytë të madhe ushtarake, pas asaj nga Rusia, këtë herë në Bjellorusi. Nuk janë zbuluar hollësi, por vetë kryeministri i Serbisë ka folur me një gjuhë që lë të kuptohet se Beogradi,po rri në gatishmëri dhe po përgatitet edhe për ndonjë përballje, raporton media serbe B92 .
“Njerëzit në Serbi duhet të dinë se Serbia nuk është superfuqi por çdokush që mund të mendojë për të sulmuar Serbinë do ta ketë shumë më të vështirë sesa në të shkuarën. Ky është rëzultat i marrëveshjeve tona dhe do të jem në gjendje të flas rreth tyre në hollësi brenda një muajsh apo dy”, citohet kryeministri serb.
Ai ka thënë se bota është nën ndryshime të mëdha dhe duhet përgatitje për të siguruar qytetarët dhe stabilitetin e tyre. Ai ka nënvizuar se “ne nuk do të sulmojmë ndokënd dhe nuk duam asgjë që u përket të tjerëve – por duhet të jemi përherë gati për të mbrojtur territorin tonë dhe njerëzit tanë”. Duhet thënë se Serbia zyrtarisht e njeh Kosovën si pjesë të sajën, kështu që fjalët e Vuçiç mund të marrin shumë kuptime.
Përgatitja për mbrojtje ndërkohë që në media qarkullojnë versione nga më të ndryshmet për një konfrontim të afërt në Kosovë lë vend për shumë hamendësime. Jo pa rëndësi është edhe fakti se Vuçiç ka ftuar për vizitë në Serbi kreun bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i parë si njeri shumë i afërt me politikat ruse dhe Putinin.