Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar pasi Parlamenti maqedonas votoi propozimin francez që i hap rrugë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i fillojnë negociatat për anëtarësim.
Rama ka postuar një fotografi me ish-kancelaren Angela Merkel, duke thënë se s’ka asnjë pengesë më për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE raporton Gazeta Express.
“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se delegacioni shqiptar do të niset të hënë në Bruksel për të nisur negociatat e anëtarësimit.
“Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”, ka thënë Rama duke shkruar edhe “për hajër” në fund të postimit./express/