Bëhen 20 vjet nga rënia e tre ushtarëve emblematik të UÇK-së

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloj gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan, shkruan KosovaPress.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo që kishte parë kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje.

Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

Hakif Zejnullahu kishte një heshtje të jashtëzakonshme, ashtu siç e kishte edhe punën të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme.

Kurse, sot nën organizimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mbahet ceremonia e rivarrimit të heroit Zahir Pajaziti. Rivarrimi bëhet në Kompleksin Memorial në Orllan të Podujevës.

Po ashtu gjatë ditës mbahet edhe akademi përkujtimore në Prishtinë kushtuar tre dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme