Gjendja e sigurisë në Kosovë është e mirë dhe stabile, sipas Qeverisë së Kosovës. Ajo nuk po e vlerëson alarmante deklaratën e presidentit, Hashim Thaci, i cili javën e kaluar ka thënë se Serbia po dërgon civilë e njerëz me uniforma në veri të Kosovës, si dhe po i armatos serbët me armë dore e me armë të tjera.
Institucionet e Kosovës, sipas Qeverisë, kanë kapacitete dhe gatishmëri të nevojshme për të trajtuar sfidat eventuale në koordinim të plotë ndërinstitucional dhe në partneritet me miqtë ndërkombëtarë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këtë drejtim, zyrtarë qeveritarë nuk kanë deklaruar se e shohin të arsyeshme për të thirrur Këshillin e Sigurisë të Kosovës për të diskutuar rreth çështjes që është ngritur nga Thaçi.
Në anën tjetër, derisa drejtues të Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës e cilësojnë të pamatur deklarimin e Thaçit, ekspertë të sigurisë thonë se kjo duhet të merret seriozisht.