Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkon reagim të menjëhershëm nga komuna e Sarajit në lidhje me incidentin e djeshëm me ekipin e TV Alsat në fshatin Svilarre e Epërme ku ata u penguan të filmonin nga banorët e fshatit në fjalë.
“Dje në mesditë ekipi i televizionit Alsat i përbërë nga Melihate Rustemi (gazetare) dhe Bojan Kostovski (kameraman) janë penguar të kryejnë punën e tyre. Ekipi ka mbërritur në fshatin Svillare e Epërme (komuna e Sarajit) pas informacioneve të marra paraprakisht se banorët nuk kanë ujë të pijshëm. Pas disa minutash xhirime, është shfaqur një person me rroba civile, i cili në mënyrë agresive penguar ekipin të filmojnë nën arsyetimin se informacionet për mungesë uji nuk janë të sakta, por pa lënë rast për të konfirmuar. Në të njëjtën kohë, ai i kërkoi gazetares leje për të filmuar”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
Gazetarja Rustemi së bashku me kameramanin Kostovski, pas arsyetimit se filmimi në hapësira publike nuk kërkon leje nga institucionet përkatëse dhe konflikt verbal u detyruan të largoheshin nga vendngjarja dhe të gjenin një vend tjetër për të filmuar.
“Ekipi i TV Alsat ka regjistruar të gjithë konfliktin verbal, i cili është transmetuar edhe në edicionet e lajmeve.
SHGM-ja kërkon nga institucionet kompetente që të marrin masa konkrete ndaj personit në fjalë, në mënyrë që në të ardhmen të mos pengohet e drejta e gazetarëve për punë dhe e drejta e qytetarëve për informim”, thuhet në reagimin e SHGM-së.