Ngushtohet “dara” për personat të cilët janë dënuar nga gjykata për krime seksuale. Pas shumë debatesh dhe votimit thuajse unanim në Kuvend, me botimin tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, ka hyrë në fuqi ligji për krijimin e Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale.
Efektet e këtij ligji do të fillojnë të zbatohen nga janari 2023. Koha prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi, është afati që ligjvënësit i kanë vënë qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj, për krijimin e Regjistrit.
Qëllimi i Ligjit
Ky ligj ka për qëllim, parandalimin e ngacmimit, dhunës, abuzimit apo shfrytëzimit seksual të çdo individi që jeton në Shqipëri.
Ligji përcakton rregullat për ngritjen dhe funksionimin e Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, si dhe caktimin e përgjegjësive për autoritetet përgjegjëse, autoritetet e tjera dhe çdo institucion apo organizata publike ose private, që punojnë për fëmijët ose viktimat e dhunës seksuale.
Nga ana tjetër synon rregullimin e lëvizjes dhe veprimeve të të dënuarve, duke kufizuar kontaktin fizik ose virtual të tyre me viktimat e mundshme të krimeve seksuale.
Institucionet që do të mbledhin informacionin
Do të jetë “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve” organi kompetent, i cili krijon, përditëson dhe mirëmban bazën e të dhënave që vërtetojnë gjendjen gjyqësore. Ndërsa “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë” është organi kompetent që për qëllime të këtij ligji do të shfrytëzojë dhe do të përditësojë me të dhëna të tjera sipas këtij ligji,
Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, si pjesë përbërëse e bazës së të dhënave që vërtetojnë gjendjen gjyqësore. Kurse “Drejtoria Vendore e Policisë” është organi kompetent që do të mbledhë të dhënat për regjistrimin e autorëve të krimeve seksuale.
Përpunimi i të dhënave personale
Të dhënat personale të personave të regjistruar në Regjistër do të përpunohen në përputhje me parimet dhe kriteret e sanksionuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Palët që vihen në dijeni me të dhënat e përpunuara gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit.
Detyrimet për raportimin e të dhënave
Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dërgojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të dhënat për çdo person që ka përfunduar vuajtjen e dënimit si autor i krimit seksual.
Drejtoria Vendore e Policisë ose komisariati i policisë ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin autori i krimeve seksuale, ka për detyrë të sigurohet që të dhënat e autorit të krimeve seksuale të përfshijnë:
a) të dhënat e vendimit gjyqësor, si: numër vendimi, datë, gjykata që ka dhënë vendimin;
b) lloji i veprës penale dhe masa e dënimit të dhënë;
c) të dhëna që lidhen me gjendjen shoqërore dhe familjare të të dënuarit;ç) të dhëna që lidhen me veprën penale;
d) vërtetim i gjendjes gjyqësore;
dh) fotografi aktuale e autorit të krimeve seksuale;
e) kartelë daktiloskopike (kopje);
ë) leje drejtimi automjeti.
Aksesi në Regjistër
Të dhënat e përditësuara të autorit të krimeve seksuale, komisariati i policisë ia përcjell Drejtorisë Vendore të Policisë dhe kjo e fundit Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Drejtoria Vendore e Policisë duhet të njoftojë për përditësimin e të dhënave të autorëve të krimeve seksuale:
a) Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkinë ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i dënuari për krime seksuale;
b) organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e fëmijëve dhe personave vulnerabël;
c) Departamentin e Administratës Publike për verifikimin e figurës së nëpunësit duke ekspozuar të dhëna në rrugë elektronike për databazat
përkatëse;
ç) sistemin shkollor parauniversitar për verifikimin e figurës së mësuesit/edukatorit duke ekspozuar të dhëna në rrugë elektronike për
databazat përkatëse.
Çdo veprim në sistem, lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj., duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave.
Emërimet në institucionet publike dhe private
Çdo institucion publik ose privat, përpara se të emërojë, rekrutojë personel ose të fillojë çdo marrëdhënie punësimi, ka detyrimin të kërkojë verifikim tek autoriteti përgjegjës nëse kandidati që ka shprehur interesin për pozicionin e shpallur vakant figuron ose jo i regjistruar në Regjistër për punësimin si:
a) mësues dhe punonjës në sistemin arsimor në çdo nivel të sistemit parauniversitar;
b) punonjës, infermierë, mjekë në sistemin shëndetësor në çdo nivel të ofrimit të shërbimit;
c) kujdestar ligjor, jo prind, i një personi sipas vendimit të gjykatës;
ç) punonjës i institucioneve të përkujdesjes shoqërore dhe ofrimit të shërbimeve të përkujdesjes sociale në qendra rezidenciale, qendra
komunitare, familje kujdestare etj.;
d) punonjës, edukatorë apo predikues në institucionet fetare, që kanë akses te fëmijët apo shërbimet ndaj tyre;
dh) punonjës bashkiakë në qendra ose institucione kulturore, qendra trajnimi apo sportive;
e) edukatorë në sistemin parashkollor;
ë) trajnerë ose staf ndihmës në çdo lloj sporti që ndiqet nga fëmijët;
f) punonjës për organizatat joqeveritare që punojnë në mbrojtje apo kujdesen për fëmijët, si dhe
g) në çdo marrëdhënie punësimi, veprimtaria e të cilës ka lidhje me fëmijët, me persona vulnerabël, me persona me aftësi të kufizuara etj./GSH