Gazetare: Ajnur Bafqari
Ndryshimet kushtetuese duhet dhe do të ndodhin. “Krahu pro evropian” tek opozita është në rritje dhe aktualisht po zhvillohen negociatat me qëllim që edhe ata të japin mbështetje për këto ndryshime. Kështu deklaroi zv.kryeministri Artan Grubi. Ai madje tha se nga kty proces, fitues më i madh del populli maqedonas.
“Them se nga pala bullgare konfirmohet se ka ndarje absolute dhe se ekziston populli maqedonas dhe gjuha maqedonase, se ky është një realitet dhe ata e pranojnë këtë me këto ndryshime kushtetuese. Unë vlerësoj se ‘krahu’ proevropian që është në rritje, tek opozita në Kuvend, do të jep mbështetje për ndryshimet kushtetuese, tashmë kemi kontakte, komunikojmë me deputetët dhe krerët e partive politike për mënyrën që edhe ata të japin mbështetje për Maqedoninë evropiane”, tha Artan Grubi, Zv.kryeministër.
Që po zhvillohen bisedime, konfirmon edhe deputetja e LSDM-së Daniella Nikollovska.
“Po rrjedhin bisedimet dhe vërtetë mund të kemi shpresa se do të realizohet mundësia për ndryshimet kushtetuese, megjithatë derisa zgjat procesi I negociatave dhe marrëveshjeve për atë shumicë , nuk do të komentoja më shumë”, u shpreh Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.
Por nga VMRO-DPMNE akuzojnë zëvendëskryeministrin Grubi për lajme të rrejshme dhe gënjeshtra. Ata kërkojnë nga përfaqësuesit e shumicës që nëse kanë numrin e nevojshëm të deputetëve për ndryshimet kushtetuese, t’i vendosin në rend dite menjëherë javën e ardhshme, në të kundërtën, kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Kovaçevski.
“VMRO-DPMNE e fton qeverinë që nëse kanë deputetët për ndryshimet kushtetuese, që është dëshmuar se nuk e kanë, ja në javën e ardhshme le ta vendosin në rend dite. Në të kundërtën menjëherë Kovaçevski të jep dorëheqje. Çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk është nëse jemi “për” ose “kundër” Bashkimit Evropian, por nëse jemi kundër shfytyrimit të identitetit dhe pranimit të ultimatumeve bullgare”, thonë nga VMRO DPMNE.
Për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica prej dy të tretave të votave. Këto ndryshime I referohen përfshirjes së bullgarëve në preambulë./Alsat.mk