Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 74 vjeçari nga Kumanova, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 (në tentativë) të Kodit Penal, si dhe ndaj djalit të tij 35-vjeçar, i dyshuar për asistencë në kryerjen e krimit në fjalë.
Më 2 shtator, në kryqëzimin e rrugëve “Kiro Fetak” dhe “Boris Kidriç” në Kumanovë, i dyshuari i parë me dashje ka tentuar t’i marrë jetën një personi, ndërsa i dyshuari i dytë me dashje e ka ndihmuar për ta bërë këtë, duke i hequr pengesat për ekzekutimin të veprës së krimit.
Të dyshuarit e kanë vërejtur të dëmtuarin duke lëvizur me veturën e tij përgjatë rrugës Kiro Fetak dhe në momentin kur ka mbërritur në kryqëzimin me rrugën Boris Kidriç, i dyshuari i dytë për ta penguar të largohet ka nxjerrë nga brezi një armë të markës dhe kalibrit të panjohur, duke i zënë rrugën, është ndalur para automjetit dhe e ka drejtuar armën në drejtim të viktimës. Ai e ka ndaluar veturën, pas së cilës i dyshuari i parë i është afruar veturës dhe ka nxjerrë një thikë. Ai fillimisht i është drejtuar viktimës me fjalët “kush je ti që nuk sheh”, më pas ka nisur të debatojë verbalisht dhe ka tentuar ta godasë me thikë në zonën e gjoksit. Mirëpo, viktima ka ngritur dorën e majtë për t’u mbrojtur, kështu që i dyshuari e ka goditur me thikë në pjesën e shpatullës së majtë. Menjëherë më pas dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori publik kompetent ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.