‘Ballkani i hapur’ projekt i Serbisë për të përfituar Rusia

Nga Janusz Bugajski 

Skena është gati për kriza të reja në Ballkanin Perëndimor që mund të shndërrohen edhe në të dhunshme. Një kombinim i pamjaftueshmërisë së Bashkimit Evropian, mosvëmendjes amerikane dhe rritja e tensioneve lokale e kanë fuqizuar qeverinë nacionaliste të Serbisë për të përshkallëzuar pretendimet ndaj territoreve fqinje. Rajoni po përballet me mosmarrëveshje të pazgjidhura që përbëjnë një thesar mundësish për Moskën edhe pse po humbet luftën në Ukrainë.

Kremlini e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet. Aleati kryesor i Putinit në rajon është Aleksandar Vuçiç me të cilin ai ka një marrëdhënie simbiotike. Moska ndihmon Beogradin në ndërtimin e ‘Botës Serbe’, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar. Në këmbim, Serbia i mundëson Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit. Së fundmi, Beogradi ka nënshkruar një marrëveshje të re për furnizimin me gaz me Gazprom të Rusisë dhe po lejon sërish kanalet televizive propagandistike të Kremlinit, RT dhe Sputnik, pavarësisht ndalimit të tyre në mbarë Evropën.

Vizita e fundit e ministrit të Brendshëm Aleksandar Vulin në Moskë nënvizoi mbështetjen e vendosur të Beogradit për imperializmin rus në këmbim të ndihmës së Kremlinit për të ngrirë Kosovën dhe për të mbrojtur Serbinë në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n. Ndërsa mediat serbe lëshojnë dezinformata të vazhdueshme kundër Kosovës, Vuçiç po riciklon justifikimet që çuan në luftë dhe gjenocid në vitet 1990, kur ai shërbeu si ministër i informacionit i Millosheviçit. Nocioni se serbët janë të persekutuar në Kosovë është i ngjashëm me pretendimet e Rusisë kundër Ukrainës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrijnë disa marrëveshje, si kjo e fundit për lëvizjen e lirë, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore ato do të vazhdojnë pafundësisht. Vuçiç dhe Putin luajnë kartën e Kosovës për të tërhequr nacionalistët dhe për të nxitur mosmarrëveshje. Beogradi dhe Moska mendojnë se nxitja e konfliktit në veri të Kosovës do t’i shpërqendrojë zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të vështirë për njohjen reciproke nga frika e dhunës.

Moska gjithashtu bashkëpunon ngushtë me kreun e entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik, ambicia e deklaruar e të cilit është ndarja e Bosnjës dhe krijimi i një shteti tjetër serb. Moska i ofron atij forma të ndryshme të ndihmës ekonomike, ushtarake dhe propagandistike. Sanksionet gjysmake të BE-së nuk kanë arritur ta pengojnë Dodikun, ndërsa ambiciet e nacionalistëve kroatë për të krijuar një entitet të tretë etnik në Bosnje kanë ndihmuar gjithashtu atë dhe mbështetjen në Moskë. Në mënyrë paradoksale, lëvizjet për të minuar integritetin boshnjak janë ndihmuar edhe nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), zyrtarët e së cilës me sa duket nuk arrijnë të kuptojnë se konsolidimi i çifligjeve etnike në Bosnje është një recetë për konflikt të armatosur.

Mali i Zi po destabilizohet gjithashtu përmes një sulmi ndaj institucioneve të tij të pavarura nga partitë nacionaliste serbe të lidhura ngushtë me regjimin e Rusisë. Kjo përfshin edhe kërkesat e fundit për autonomi serbe në disa komuna jugore. Fatkeqësisht, besimi midis qeverive perëndimore se aktivistët kundër korrupsionit do të bëheshin udhëheqës efektivë të qeverive ka dështuar. Jeta e shkurtër e qeverisë Dritan Abazovic nuk është befasuese duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të minuar sovranitetin malazez duke nënshkruar marrëveshje të privilegjuara me Kishën Ortodokse Serbe – një organizatë që nuk e njeh shtetësinë malazeze. Për më tepër, pretendimet se qeveria po luftonte unazën e korrupsionit është e zbrazët dhe hipokrite, kur aleatët e saj më të ngushtë kanë qenë partitë dhe liderët fetarë të korruptuar nga Moska dhe në bashkëpunim me zyrtarët serbë. Një hetim i lidhjeve të paligjshme ruse të secilit lojtar të madh politik do të ishte një shkak i denjë për gazetarët dhe OJQ-të malazeze, si dhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit.

Shqipëria gjithashtu mund të tërhiqet në një konflikt rajonal përmes subversionit rus. Depërtimi i fundit në objektet ushtarake shqiptare dhe sulmi ndaj 3 ushtarëve është një provokim i qartë për të trazuar vendin dhe për të krijuar më shumë probleme për NATO-n. Sulmi ndaj bazës kishte për qëllim të nxiste konflikte midis qeverisë dhe opozitës dhe të largonte vëmendjen nga fushatat irredentiste të Serbisë. Mbështetja e Tiranës për nismën e Ballkanit të Hapur, një projekt gjeostrategjik i krijuar për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës, nuk do të sigurojë imunitetin e Shqipërisë nga konflikti.

Pretendimet e disa liderëve të BE-së për ‘autonominë strategjike’ të Evropës tingëllojnë absurde kur ata janë të paaftë për të garantuar sigurinë në një rajon që dëshiron të anëtarësohet në BE. Uioni ka zvarritur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërkohë që anëtarësimi për Bosnjën dhe Kosovën është një perspektivë e largët. Stabiliteti në Maqedoninë e Veriut është minuar nga Bullgaria anëtare e BE-së, qeveria e së cilës mbetet e mbërthyer në mosmarrëveshje të pazgjidhshme historike me Maqedoninë dhe padashur po ndihmon Moskën për të destabilizuar më tej rajonin. BE-ja gjithashtu e qetëson Vuçiçin në vend që të pohojë se do të mbyllë çdo fond të para-anëtarësimit për Serbinë nëse qeveria nuk respekton konsensusin e BE-së në sanksionimin e Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.

Administrata e Biden po lejon gjithashtu Rusinë të depërtojë në rajon duke pranuar pohimet e Vuçiçit se ai është properëndimor dhe nuk dëshiron të largojë mbështetësit e tij duke sanksionuar Rusinë. Vlen të kujtohet se si Uashingtoni fillimisht u mashtrua nga Slobodan Milošević kur ai pretendoi se ishte një garantues i paqes dhe integritetit të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Koha e balancimit ka mbaruar – ose Serbia është një shtet evropian ose është në linjë me një Rusi perandorake që kërkon të shpërbëjë botën perëndimore.

Për të shmangur një zjarr të ri, objektivat e politikave agresive të Serbisë gjithashtu duhet të mbrohen plotësisht. Si Bosnje-Hercegovina ashtu edhe Kosova kanë nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO dhe forcat properëndimore në Mal të Zi kanë nevojë për mbështetje më të fortë që do të anashkalonte nacionalistët pro-Moskës të promovuar nga Vuçiç. Pa një udhërrëfyes të qartë për të garantuar sigurinë rajonale, Uashingtoni dhe Brukseli do ta gjejnë veten duke u përpjekur të shuajnë më shumë zjarre në vend që të çarmatosin zjarrvënësit.

*Janusz Bugajski është një anëtar i lartë në Fondacionin Jamestoën në Uashington DC. Libri i tij i ri, ‘Failed State: A Guide to Russian’s Rupture’ sapo është botuar dhe do të jetë në dispozicion në kopje fizike në shtator.

/Përshtati në shqip LAPSI.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme