Policia: Ngasësi që la veturën e dyshimtë te Grandi ishte i sëmurë mendor

Policia e Kosovës ka sqaruar ngjarjen e djeshme të një veture taksi të dyshimtë, me regjistrim të Beogradit, që ndodhej e parkuar në qendër të Prishtinës.

 

Sipas të dhënave të policisë, personi që e la veturën të parkuar përballë hotelit Grand, në kryeqytet, S.Z. 28 vjeçar serb, dyshohet se ka probleme mendore dhe është i varuar nga substancat narkotike, përcjell Gazeta Express.

Polica tregon se ka intervistuar të dyshuarin dhe disa dëshmitarë.

“Pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës”, thuhet në njoftimin e PK’së, shkruan Gazeta Express.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë: 

Dje rreth orës 16:00 policia ka marrë informacionin lidhur me një veturë të dyshuar, e cila ka qenë e parkuar në mënyrë të parregullt në rrugën ”Garibaldi” në Prishtinë.

Patrulla policore i është përgjigjur këtij informacioni duke dalë në vendin e ngjarjes ku ka hasur veturën e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin Proffi Taxi me targa të republikës së Serbisë e cila  kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt.

Sipas rregullit në rastet e kundërvajtjeve të tilla kur vozitësi i veturës nuk është prezent në vendngjarje vetura konfiskohet për tu krijuar kushtet optimale të qarkullimit në trafik.

Edhe në këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, porse pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të mara nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë.

Kësisoj në vendin e ngjarjes janë ftuar ekspert të njësiteve të specializuara policore për ekzaminim të detajuar të veturës në mënyrë që të përjashtohet çdo dyshim i mundshëm i ndërlidhur me prezencën e kësaj veture në rrugën e sipër cekur.

Ndërkohë që ekzaminimet kanë përfunduar dhe nuk kanë rezultuar me ndonjë gjë të dyshimtë policia ka identifikuar ngasësin e veturës; S. Z. Mashkull, Serb, 28 vjeç, i cili është intervistuar nga ana e policisë.

Gjithashtu janë intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Në bazë të një hetimi preliminar të bërë nga ana e policisë, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga ana e ngasësit si dhe rekomandimin e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë  të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike.

Përgjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ngjarja, policia ka koordinuar veprimet e saja me prokurorin e shtetit.

Për rrjedhojë, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme