Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e sulmeve ndaj pushtetit gjyqësor, ka shigjetuar edhe Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, është ankuar se pse kjo gjykatë nuk ka marrë vendim për nëj padi të ngritur nga asamblistët e VV-së në Komunën e Prishtinës për ndërtimin e një objekti banesor në kryeqytet, shkruan lajmi.net.
“Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, ka shkruar Kurti.
“Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë. Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike”, shkruan ai.
Shefi i ekzekutivit përgjatë këtyre ditëve ka sulmuar edhe KGJK-në e KPK-në, nga të cilat ka kërkuar shkarkime për rastin e dhunimit të 11-vjeçares. /Lajmi.net/