“Plani për revitalizimin e urës, i përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje i datës 25 gusht 2015, do të jetësohet me përpikëri dhe ura e Ibrit do të mundësojë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç ka qenë gjithnjë”, tha Tahiri.
“Ura e Mitrovicës po lirohet pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh që nga përfundimi i luftës dhe se Qeveria e Kosovës vlerëson lartë angazhimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e kësaj marrëveshje e cila do të lehtësoj jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit duke kontribuar në normalizimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe gjithë komuniteteve”, theksoi ministrja Tahiri.
Ministerja për Dialog është shprehur se, Qeveria e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës për kujdesin e treguar gjatë kësaj kohe të bllokadës një vjeçare të mosfillimit të punimeve dhe në të njëjtën kohë falënderon dy kryetarët e komunave si dhe organet e sigurisë shtetërore të Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për kontributin në ruajtjen e rendit dhe qetësisë e cila duhet të vazhdoj si një vlerë e arritur me shumë mund e investime.
Ajo po ashtu bëri me dije se për detajet e fillimit të punimeve nesër, mediat duhet t’i drejtohen Zyrës së BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.