Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë në Serbi, Milovan Drecun ka thënë se e kupton vendimin për të mos dhënë ndonjë deklaratë pas dialogut të mbrëmshëm në Bruksel, i cili u mbajt në nivelin më të lartë.
Ai për Radio Televizionin e Serbisë tha se porosia më e rëndësishme që duhet të dërgohet në këtë dialog është se situata është duke u stabilizuar dhe se problemet po zgjidhen në mënyrë paqësore, transmeton Klan Kosova.
“Duke pasur parasysh se kemi pasur deklaratë provokuese të Hashim Thaçit, e cila është në kontrast me atë që është rënë dakord, atëherë ky është një vendim i matur që të mos dilet me deklarata”, ka thënë Drecun.
Takimi trepalësh, pjesë e së cilit ishin përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë dhe ata të BE-së nuk ka zgjatur as gjysmë ore, dhe për këtë çështje Drecun theksoi se takimet nuk do të zgjasin shumë pasi sipas tij “do të ketë takime të vazhdueshme”, transmeton Klan Kosova.