Allegri: Milan dhe Inter do të kishin rezultate të njëjta nëse do t’i mungonin pesë titullarë.
Juventusi nuk e ka nisur siç është më së miri këtë sezon si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Zonja e Vjetër në gjashtë ndeshjet e para ka marrë dy fitore e katër barazime, duke mbetur katër pikë mbrapa liderëve Napolit, Atalantës e Milanit.
Ndërkohë në Ligën e Kampionëve, Juventus ka pësuar dy humbje dhe rrezikon shumë për ta kaluar grupin.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka folur për këtë formë të dobët, duke thënë se po bëjnë gabime të mëdha, derisa edhe mungesat janë një faktor shumë i rëndësishëm.
“Po bëjmë shumë gabime, gabojmë në shumë pjesë të fushës, si në pasime dhe veprime teknike. Nuk përplasemi me kundërshtarët, na mungon diçka në aspektin e personalitetit”.
“Gabojmë shumë, por është detyra ime t’i rregulloj gjërat në ekip. Kemi edhe mungesa, ky është një Juventus virtual. Jam i kënaqur me tregun e transferimeve, më kanë pëlqyer lëvizjet e klubit”.
“I adhuroj lojtarët e mi, unë përshtas stilin e lojës në bazë të karakteristikave të tyre”, tha Allegri.
Tutje trajneri italian tha se edhe Milani e Interi do të kishin të njëjtat probleme nëse do të kishin mungesa.
“Provoni t’i hiqni Milanit apo Interit pesë lojtarë titullarë dhe do e shohim se sa të vështirë do e kenë. Më mungon shumë Rabiot, një lojtar i fortë teknikisht dhe fizikisht. Ai bën 13-14 gjëra të mira në ndeshje, është një lojtar me peshë të madhe”, deklaroi trajneri i Juventusit.