Radio Televizioni i Maqedonisë, nëpërmjet korrespodentit të SHBA-së, sot nxori një kronikë në të cilën disa kongresmenë republikan të SHBA-së flasin kundër ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli.
Fushatën kundër Bejlit e udhëheqë VMRO-DPMNE-ja, të cilët njoftuar se kanë dërguar kërkesë deri te Donald Trump dhe partia republikanë që ta kontrollojnë punën e Xhes Bejlit në Maqedoni, duke e akuzuar se punon nën diktat të Sorosit dhe LSDM-së.
Lobimi i VMRO-DPMNE-së, nëpërmjet kongresmenëve ose nëpërmjet teksteve të paguara dhe shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta të ndryshme dhe portale amerikane, ndërkaq gjatë kohës së fundit nëpërmjet kronikave në Radio Televizionin e Maqedonisë, po ndodh në kohën kur ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski, i cili më parë ishte ambasador në SHBA, po qëndron gjatë kohë atje, në vizitë zyrtare.
RTVM ka bërë një intervistë me kongresmenë amerikanë, të cilët sipas korrespondentes, kanë hapur hetim dhe kërkojnë përgjegjësi nga ambasadori Bejli për anim politik në vend. Ata thonë se “nuk do të heqin dorë nga hetimi”, sipas kronikës së RTVM-së, transmeton Portalb.
Sipas kronikës së MTV-së kongresmeni udhëheqës republikan amerikan Kristofer Smit paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit Reks Tilerson që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli.
Në krye të grupit nga gjashtë kongresmenë republikanë, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të fondacionit të Xhorxh Sorosit në Maqedoni. Pasi Bejli nuk i është përgjigjur letrës së kongresmenëve, Smit, i cili është anëtar i Komisionit kongresist për punë të jashtme dhe kryeson me Komitetin e Helsinkut për bashkëpunim me OSBE-në, deklaroi se nevojitet hetim i thellë i aktiviteteve të Ambasadës Amerikane në Maqedoni dhe shkarkim të ambasadorit.