Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vazhdën e takimeve me drejtues të lartë amerikanë e të shteteve të tjera, ka zhvilluar sot një takim të veçantë me homologun e tij izraelit, kryetar i Knesetit, Yuli-Yoel Edelstei.
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit nga Kuvendi, Veseli dhe Edelstei kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryeparlamentari Veseli e ka njohur homologun e tij izraelit me zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në shumë fusha.
Kreu i Kuvendit të Kosovës i ka cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, por ka shtruar nevojën që këto raporte të avancohen më tej, duke kulmuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli.
Kryetari i Knesetit, Yuli-Yoel Edelstei, nga ana e tij, e ka përgëzuar kryetarin e Veseli për arritjet e shtetit të Kosovës dhe ka premtuar bashkëpunim të ngushtë midis vendeve që përfaqësojnë.
Kryeparlamentari Veseli do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington dhe do të zhvillojë takime të tjera me personalitete të ndryshme shtetërore botërore.