Thaçi:Fushatë propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një deklaratë për media shpreh shqetësimin e tij në lidhje me siç ka thënë ai “fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës”.

Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia sipas presidentit Thaçi synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Kosovës.

“Përgjatë gjithë historisë së deritashme, shteti i Serbisë e ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllime të veta politike komunitetin serb që jeton në Kosovë. Pasojat e një qasje të tillë destruktive janë evidente edhe sot”, thuhet në deklaratën e presidentit.

Prandaj, Thaçi me anë të kësaj deklarate fton  Serbinë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në deklaratë.

Sipas Thaçit, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.

“Kosova dhe i gjithë rajoni ynë kanë nevojë vetëm për rritje të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE dhe NATO, si kusht kryesor për paqen dhe sigurinë afatgjate”, thuhet në deklaratën e Thaçit./KP/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme