Shkruan: Liz Truss, Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar
Siguria, energjia dhe migracioni janë tre nga prioritetet më urgjente për popullin britanik, kështu që ato janë në krye të axhendës sime gjithashtu. Kjo është arsyeja përse sot po udhëtoj për në Pragë për takimin e sotëm të Udhëheqësve evropianë.
Këto çështje jetike prekin gjithë kontinentin tonë, kështu që është e drejtë që ne të gjejmë një kauzë të përbashkët me miqtë dhe aleatët tanë evropianë. Kjo është gjithashtu arsyeja se përse duam të shohim një zë të fortë për vendet jo-anëtare të BE-së si Ukraina, Norvegjia dhe Zvicra.
Ky takim nuk është një konstrukt i BE-së apo një alternativë e BE-së. Jam shumë e qartë për këtë. Ai mbledh së bashku qeveritë nga e gjithë Evropa, rreth një e treta e të cilave janë jashtë BE-së. Një Britani pas Brexit-it, si një vend i pavarur jashtë BE-së, duhet të përfshihet në diskutime që prekin tërë kontinentin dhe të gjithë ne këtu në shtëpi. Ne po marrim pjesë si një komb sovran i pavarur dhe do të veprojmë si i tillë.
Brexit nuk ishte kurrë për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga roli ynë krenar dhe historik si një komb udhëheqës në rajon dhe më gjerë. Ne gjithmonë besonim se do të gjenim mënyra të reja pune që reflektonin vlerat dhe interesat tona të përbashkëta.
Veprimet tona në Ukrainë kanë treguar se kjo është e vërtetë. Asnjë vend evropian nuk ka bërë më shumë se Mbretëria e Bashkuar për të armatosur ukrainasit në luftën e tyre për liri dhe për të çuar në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Megjithatë, veprimet tona janë edhe më të forta për shkak të mënyrës se si bashkëpunuam me miqtë tanë evropianë.
Ne kemi punuar me BE-në nëpërmjet G7 dhe kemi ndihmuar Suedinë dhe Finlandën me pranimin e tyre në NATO, e cila mbetet baza e mbrojtjes sonë kolektive. Ushtarakisht kemi bashkëpunuar me aleatët evropianë përmes Forcave të Përbashkëta Ekspeditive. Ne jemi duke trajnuar ushtarët ukrainas së bashku. Ndërsa po forcojmë partneritetet me miq të tjerë evropianë, duke përfshirë Norvegjinë për sigurinë e energjisë dhe Zvicrën për shkencë dhe kërkim.
Kështu që unë e mirëpres mundësinë për të punuar me udhëheqës nga i gjithë kontinenti në këtë forum të ri. Por kjo nuk duhet të kalojë G7 dhe NATO-n dhe nuk duhet të jetë një vend bisedimesh. Dua të shoh veprime konkrete dhe realizimin e tre prioriteteve kyçe.
Së pari, duhet të sigurojmë që Putini të mposhtet. Përpjekjet e tij për mobilizim dhe aneksim janë një shfaqje dobësie. Ofensiva kundërajrore e Ukrainës po ka sukses, ndërsa vullneti i Rusisë po shpërbëhet. Ky është momenti për të dyfishuar vendosmërinë tonë. Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë 2.3 miliardë sterlina mbështetje ushtarake në Ukrainë këtë vit — ndërsa vitin e ardhshëm planifikojmë të dërgojmë po aq ose të tejkalojmë këtë shumë.
Unë do t’u kërkoj miqve të mi evropianë të vazhdojnë të punojnë me ne në sigurimin e më shumë armëve, vendosjen e më shumë sanksioneve dhe mbështetjen e Ukrainës në shtyrjen e forcave ruse jashtë.
Së dyti, duhet t’i japim fund varësisë sonë nga hidrokarburet ruse. Në konferencën e Partisë Konservatore, unë përcaktova planin tonë për rritjen dhe rëndësinë jetike për t’u bërë më pak të varur nga autoritarët pushtetmbajtës kur bëhet fjalë për energjinë tonë. Është mënyra e duhur që ne të bisedojmë me aleatët tanë evropianë për mënyrën se si ta bëjmë këtë në mënyrë kolektive. Putini po shpreson se mund të na ndajë në një grindje për furnizimin me energji. Duhet t’i tregojmë se e ka gabim.
MB dërgon dhe merr gaz dhe energji elektrike përmes kabllove nënujore dhe tubacioneve që na lidhin me fqinjët si Franca, Belgjika dhe Hollanda. Të gjithë duhet të angazhohemi për të mbajtur këto lidhje të hapura këtë dimër kështu që të mbajmë dritat e ndezura në të gjithë kontinentin.
MB do të luajë gjithashtu një rol udhëheq në mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike. Këtë javë Marina Mbretërore vendosi HMS Enterprise dhe HMS Somerset të punojnë me Norvegjinë dhe aleatët tanë në Veri dhe detin norvegjez.
Së bashku, ne do të kundërshtojmë çdo kërcënim ndaj tubacioneve nënujore.
Ne gjithashtu duhet të veprojmë tani për t’u siguruar që të mos jemi kurrë më në këtë pozitë. Ne duhet të nisim një epokë të re të pavarësisë evropiane të energjisë, duke përshpejtuar në mënyrë dramatike prodhimin tonë të energjisë. Do të diskutoj me Presidentin Macron për një bashkëpunim më të thellë bërthamor, duke përfshirë progresin në Sizewell C. Jemi gati të punojmë me miqtë tanë evropianë për të zhvilluar ndërlidhës të gjeneratës së ardhshme në Detin e Veriut dhe shpresoj të bëj përparim drejt partneriteteve të reja në lëminë e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në det, ndërsa të gjitha këto do të ndihmojnë që Mbretëria e Bashkuar të bëhet një eksportuese e energjisë neto deri në vitin 2040.
Së treti, duhet të shfrytëzojmë mundësinë e këtij forumi për t ‘u përqendruar në migracionin. Ne jemi krenarë për mënyrën se si i kemi hapur shtëpitë tona për 130,000 refugjatë ukrainas. Por kemi nevojë për një përgjigje më të fortë ndaj bandave të krimit që shfrytëzojnë njerëzit e dëshpëruar. Do të thellojmë punën tonë të përbashkët me Francën, Holandën dhe vende të tjera përgjatë rrugës së migracionit për të rritur reagimin tonë kolektiv ndaj kësaj tragjedie trans-kombëtare.
Unë besoj se duke pasur shtete autoritare që minojnë stabilitetin dhe sigurinë anembanë botës, vendet demokratike duhet të jenë më të guximshme dhe më novatore në mënyrën se si bashkëpunojnë për të siguruar që të mbizotërojnë vlerat tona të përbashkëta.