Komisioni Evropian njofton BE-në se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave

Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë raporton se ka pasur qasje në këtë dokument, i cili do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel. Ai është dërguar si një rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të BE-së dhe nuk është raport formal për implementimin e udhërrëfyesit pasi një raport i tillë ishte bërë më herët dhe nuk ka nevojë për një tjetër.

 Në këtë dokument, të dërguar si non-paper, në detaje përmenden shembujt që dëshmojnë se Kosova edhe pas vitit 2018, kur Komisioni kishte konfirmuar përmbushjen e kritereve, ka vazhduar të bëjë progres në të gjitha fushat që janë të përfshira në udhërrëfyesin për vizat.

“Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare.

Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër mbetet tërësisht i vlefshëm”, konkludohet në fund të këtij raporti.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Kosova në vitet e fundit ka forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendit publik dhe sigurisë, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së.

Në raport konfirmohet se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që të gjitha dokumentet e udhëtimit, pasaportat, janë biometrike dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Kosova, sipas këtij raporti, ka përshtatur edhe më shumë legjislacionin me BE-në edhe në fushën e menaxhimit të koordinuar të kufijve. Gjithashtu, ka bërë progres domethënës në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë edhe efikasitetin, profesionalizmin, përgjegjësinë dhe integritetin.

Kosova ka arritur përparim në hetimin dhe dënimin e rasteve të krimit të organizuar.
Po ashtu, Kosova i ka përmbushur dhe kushtet për riatdhesimin e shtetasve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në BE dhe kanë marrë vendimin për t’u larguar.

Komisioni Evropian konstaton trend pozitiv edhe në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm.

Të gjitha këto të dhëna që janë përmendur në dokumentin që e ka dërguar Komisioni Evropian, do të shërbejnë për Këshillin e BE-së i cili më 13 tetor nis procedurën që ka për qëllim finalizimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme