Pas deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se “më i rrezikshëm është ajri i ndotur në Prishtinë, sesa muri në Veri tek ura e lumit Ibër’’ ka reaguar dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.
Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka replikuar ndaj deklaratave të Presidentit Thaçi.
Sipas Ahmetit, për presidentin e vendit problem më i madh del të jetë qeverisja në Prishtinë se sa situata në veri dhe Beograd.
”Për Hashim Thaçin problem më i madh është qeverisja në Prishtinë, se sa situata në veri dhe Beogradi. Në çdo pyetje për veriun e përmend Prishtinën” ka thënë Ahmeti.
Thaçi ka thënë se muri i ndërtuar afër urës lumit Ibër në Mitrovicë do të rrënohet, dhe se një gjë e tillë nuk do të nxitë trazira në vend.
Sipas tij, muri do të rrënohet nga “ata që e kanë ndërtuar”.
“Edhe mbrëmë kemi diskutuar me autoritet evropiane, thënë të drejtën më në zor janë ata që e kanë ndërtuar atë mur”, ka thënë Thaçi në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.
Për më tepër, sipas tij, “më shumë ka ndërtime pa leje në Prishtinë, shumë pak ka në veri”. /Insajderi.com