Gazetare: Melihate Rustemi
Disa në këmbë, disa me makinë të shoqëruar nga prindërit ndërsa shumë nxënës të tjerë të Vizbegut përdorën shërbimin taksi për të mbërritur në mësim në shkollat fillore të komunës së Çairit pasi kjo e fundit ndërpreu transportin e organizuar.
Nxënësit thonë se mungesa të transportit ka shpesh herë dhe shkakton edhe humbje të orëve nga mësimi.
“Kam ardhur me makinë, më solli babi, shumë keq që nuk ka transport për në shkollë. Për tjerat ditë si do t’ia bësh? Nuk e di, shumë keq, ndoshta me taksi ose me autobusin numër 9, duhet të ecim në këmbë, shumë keq për ne fëmijët”, tha një nxënëse.
“U detyrua prindi që me na sjell deri në shkollë. U deshtë ta marrim edhe dikë që mos të mbes pa ardhur në shkollë. Ditëve tjera duhet me bë diçka që të organizohemi të gjithë, në këmbë ose me taksi, por shumë shtrenjtime taksi deri këtu. Ndodhë shpesh herë që na shkruajnë edhe mungesa, nuk na pranojnë me hy në gjysmë të pres, duhet me prit me fillua ora tjetër dhe të hymë”, u shpreh një nxënës tjetër.
Prindërit shprehen të revoltuar për fatin e fëmijëve të tyre duke shtuar se Komuna e Butelit diskriminon këta fëmijë pavarësisht se i takojnë komunës në fjalë. Siç thanë prindërit, nëse nuk arrihet zgjidhje e shpejtë prindërit bashkë me fëmijët do të protestojnë në rrugë.
“I kisha bë thirrje kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski me marr ndonjë masë për këtë çështje. Nuk mundem që prej punës me dalë e me i pru fëmijët në shkollë, me i marrë prej shkollës nuk kam mundësi. Nuk janë vetëm fëmijët e mi, janë 128 nxënës që mësojnë në këtë shkollë, duhet me bë diçka kryetari I komunës. Në këmbë kanë ardh fëmijët, unë jam në punë prej në mëngjes e deri në pra katër, nuk mund të dal me I mar fëmijët. Disa duhet me i mar disa duhet me i sjell. Kisha bë thirrje le të marrin ndonjë masë qeveritarët, është punë e tyre, nuk është e jona”, tha një prind.
Ditë më pare Komuna e Çairit vendosi që prej sot të ndërpres transportin publik për nxënësit e Vizbegut dhe gjithë të tjerëve që nuk i takojnë kësaj komune por që mësojnë në shkollat e Çairit.
Kryetari i Komunës, Visar Ganiu tha se ky vendim vjen si rezultat i krizës ekonomike e energjetike dhe njëkohësisht mos respektimit të marrëveshjes për transport të nxënësve të Vizbegut nga ana e Komunës së Butelit.
Darko Kostovski, kryetar i komunës së Butelit pranoi se institucioni i tij ka borxhe të shumta ndaj Ndërmarrjes Qarkulluese Publike por se të njëjtat, sipas tij, do të shlyhen në këste dhe e njëjta nuk do të ndikoj në ndërprerjen e transportit të një pjese të nxënësve të Vzbegut.
Për shkak të mungesës së një objekti shkollor në Vizbeg, rreth 200 nxënës të kësaj lagjeje të Butelit ndjekin procesin mësimor thuajse në të gjitha shkollat e fillore të Komunës së Çairit./ Alsat.mk